Kreu i shtetit Ilir Meta i ka dhënë shtetësinë shqiptare Arqipeshkvit Metropolit të Tiranës- Durrësit, George Anthony Frendo.

Dekreti i Metës vjen pak muaj pas atij të kryepeshkopit ortodoks Anastas Janullatos. Vetë Meta bëri publik vendimin gjatë meshës së mbajtur në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, që u zhvillua me rastin e 25-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri.

“Vlerësim kontributit dhe veprimtarisë së spikatur mbi 20-vjeçare të Imzot Frendo, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare. Imzot Frendo u shërbeu dhe kontribuoi me shpirt për të ndihmuar të varfrit dhe familjet në nevojë. Veprat e Imzot Frendo e shndërruan Kishën Katolike në një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi në Shqipëri. Me vizitën e Papa Gjon Pali II, përkujtojmë edhe shugurimin e katër ipeshkvijve të parë shqiptarë të Kishës Katolike: Imzot Frano Ilinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin”, tha Meta ndër të tjera.

“Falenderoj përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje Presidentin Ilir Meta. Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëpërmjet këtij nderi që më bëri Presidenti Meta tani ndihem një prej jush dhe shumë krenar”, tha Imzot Frendo.

Top Channel