Elbasan, Qendra Ndërfetare: Aktivitetet e LGBTI s’duhen lejuar në shkolla

25/04/2018 00:15

Kundër aktiviteteve të organizuara nga LGBTI në shkolla, ka reaguar edhe Qendra e Bashkëpunimit NdërFetare Elbasan.

Përmes një deklarate për mediat QBNF Elbasan, thekson se këto aktiviteti i shikojnë si një goditje që i jepet familjes si qeliza bazë e një shoqërie të shëndoshë.

Deklarata e plotë e QBNF Elbasan
Ne, Komiteti i QBNF Elbasan, duke ndjekur me vemendje debatet e shumta mediatike dhe reagimet plot shqetësim nga publiku i gjerë (prindër, politikanë, aktivistë të shoqësisë civile, medias…etj) u mblodhëm dhe analizuam për të disatën herë, me shumë maturi e kujdes, pasojat dhe rreziqet që kanosen mbi shoqërinë shqiptare nga promovimi i komunitetit LGBT në shkolla.

Edhe në të kaluarën, ne si QBNF Elbasan, jemi shprehur me shqetësim për zhvillimet dhe përpjekjet për të goditur, hapur ose fshehurazi, familjen tonë tradicionale, ndaj kemi dalë vazhdimisht me qëndrime të qarta duke i bërë thirrje ligjvënësve shqiptarë që të mos ndërrmerrnin iniciativa që i hapnin rruge martesës homeseksuale, pasi kjo do të ishte një goditje në themel shoqërisë, cënimin e familjes natyrale.

Përsëri shohim me shqetësim përpjekjet që po bëhen për të futur edhe “edukimin” për çështje të LGBT nëpër shkolla, gjë që e shohim me shqetësim si një goditje tjetër që i jepet familjes si qeliza bazë e një shoqërie të shëndoshë, drejtpërdrejt që tek fëmijët. E gjitha kjo ndodh në një kohë që në shkolla nuk lejohet informimi apo edukimi për fenë me pretekstin që shkolla është laike!!!

Ndërsa dënojmë fort dhe nuk jemi për edukimin dhe inkurajimin e femijëve apo të të rinjve drejt një orientimi seksual jo natyral, që nuk e ka bekuar Zoti, ne njëkohësisht jemi kundra çdo lloj diskriminimi, urrejtjeje apo forme dhune ndaj anëtarëve të komunitetit LGBT.

Me dëshirën për të parandaluar këtë veprim që bie ndesh me moralin tonë fetar e shoqëror nxisim tërë spektrin politik me aktorët ligjbërës e ligjzbatues që të tregojnë respekt për ligjet Hyjnore duke e drejtuar shoqërinë dhe vendin me kurajo në rrugën e duhur bazuar në vlerat tradicionale kombëtare e fetare, duke mos krijuar pengesa artificiale që do na duhen kohë, mund e sakrifica për t’i riparuar.
Me këtë rast i sugjerojmë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të rishikojë edhe një herë programin dhe strategjinë e Arsimit në lidhje me tematikat që u mësohen fëmijëve nëpër shkolla.
Me besim se Zoti do t’ju ndrisë mendimin dhe veprimin!

Top Channel