Në samitin e përbashkët të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet gjatë muajit maj në Sofje të Bullgarisë ishte parashikuar që të dilej me një deklaratë të përbashkët.

Plani fillestar, sipas mediave spanjolle, ishte që deklarata të nënshkruhej edhe nga vendet kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim.

Por, kjo ide është kundërshtuar nga Madridi dhe shkak për këtë është bërë Kosova. “El Pais” thotë se Kryeministri Mariano Rajoy e refuzoi këtë me arsyetimin se nuk “dëshiron që të hedhë firmën e tij në të njëjtin dokument ku do të firmosin edhe udhëheqësit e territoreve që Spanja nuk i njeh si shtete”.

Megjithatë, si Bullgaria, që mban Presidencën e radhës të BE-së, ashtu edhe Brukseli mohuan që Spanja të kishte vendosur një veto të tillë, duke deklaruar se që në fillim ishte vendosur që deklarata e përbashkët të firmosej vetëm nga vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, Rumania, Greqia, Qipro dhe Sllovakia, katër vendet e tjera që së bashku me Spanjën përbëjnë pesë anëtaret e BE-së që nuk njohin Kosovën, “kishin shprehur gatishmërinë e firmosjes së një teksti të përbashkët, nëse Spanja do ta bënte këtë”.

Agjencia serbe e lajmeve, Tanjug thotë se në tekstin e shpërndarë nga Sofja tek vendet e Ballkanit Perëndimor për këshillim të deklaratës përfundimtare nuk përmendej fjala “shtete”, por “partnere” dhe këtë fakt në Serbi e interpretojnë si përpjekje për kompromis me anëtaret e BE-së që nuk njohin pavarësinë e Kosovës.

Top Channel