Qyteti turistik i Palmës në ishullin spanjoll të Majorkës do të ndalojë pronarët e apartamenteve t’i japin ato me qira për udhëtarët, duke u bërë i pari vend në Spanjë që ndërmerr një masë të tillë.

Masa në fjalë vjen si pasojë e ankesave të banorëve për rritjet e qirave për shkak të pushimeve afatshkurtra të udhëtarëve, që i prenotojnë ato përmes faqeve të internetit apo aplikacioneve të ndryshme.

Kryebashkiaku i Palmës thotë se kufizimi, që pritet të hyjë në fuqi gjatë korrikut, do të jetë model për qytetet që vuajnë nga numri i lartë i turistëve. Por, shoqatat e biznesit ankohen se shumë familje do të preken financiarisht nga kjo.

Gjithsesi, ende nuk është sqaruar nëse ndalimi do të kufizohet vetëm për apartamentet private të reklamuara nga pronarët në aplikacione apo faqe të ndryshme. Shtëpitë dhe vendet e posaçme të akomodimit, siç janë të ashtuquajturat “chalet” (shtëpi të drunjta) do të mbeten jashtë këtij kufizimi për sa kohë që nuk ndodhen brenda zonave të mbrojtura, pranë aeroporteve apo në zonat industriale.

Palma, si edhe shumë qytete të tjera anembanë botës, ka përjetuar një rritje tejet të lartë të vizitorëve, veçanërisht përmes qiradhënies së ofruar në faqe interneti apo aplikacione.

Top Channel