Napoli përgatitet për Fiorentinën, asnjë vend i lirë në Firence

24/04/2018 11:48

Entuziazmi i tifozëve për suksesin në fushën e Juventusit ka ndikuar pozitivisht në moralin e Napolit për “sprintin” e javëve të fundit në Serie A.

Një pengesë e vështirë do të jetë transferta e Firences, por lojtari i 12 në fushë, mbështetësit e skuadrës jugore, pritet të mbipopullojnë stadiumin “Artemio Franchi” ndaj Fiorentinës.

Policia dhe Bashkia e Firences po përgatiten për një “pushtim” të vërtetë tifozësh, të skuadrës që synon titullin kampion në Serie A.

Mbështetësit që janë abonuar e kanë ezauruar tashmë edhe biletën e fundit në sektorin e miqve, me kapacitet 2.500 persona. Por, ka mijëra të tjerë nga shumë qytete të Italisë, që kanë blerë edhe bileta për sektorin e vendasve apo tribunat kryesore.

Ndërkohë, këtë mesjavë u zbulua edhe një detaj i veçantë në momentin e golit të Koulibaly në Torino. Qendra Sizmiologjike Europiane Mesdhetare zbuloi një aktivitet sizmik pas rrjetës së vetme në duelin e drejtpërdrejtë për titullin.

Tashmë, Napoli llogarit 4 javët e fundit me shpresën se kryesuesit e Juventusit do të lënë pikë.

Top Channel