“Miqësia e pashmangshme”, analiza e CNN: Përse i duhet Trump presidentit francez

24/04/2018 10:59

Donald Trump nuk është presidenti i vetëm që kërkon t’i rikthejë madhështinë vendit të tij. I ftuari i tij i parë i një darke shtetërore, Emmanuel Macron kërkon të bëjë të njëjtën gjë.

Për këtë arsye, presidenti i ri pragmatik i Francës po krijon përshtypjen se, pret me padurim të kalojë kohë me homologun e tij të pllakosur nga skandalet, duke i ofruar respektin dhe aprovimin që ai e dëshiron aq shumë.

Por, shefi i Elizesë – thotë CNN, – nuk po vepron në këtë mënyrë thjesht prej mirësisë që ka në zemër. Për të përmbushur qëllimin e tij, që t’i rikthejë Francës prestigjin dhe ndikimin global, atij i nevojiten Shtetet e Bashkuara, e kjo do të thotë se nuk i mbetet zgjidhje tjetër përveçse të merret me njeriun që drejton vendin nga Zyra Ovale.

Macron luajti një rol dinamik në krah të Uashingtonit, me këmbënguljen për bombardime ndëshkuese ndaj sulmit me armë kimike në Siri, duke përforcuar vlera perëndimore që shumë udhëheqës europianë besojnë se Trumpi i përçmon.

“Është kjo arsyeja, – vazhdon gjiganti mediatik amerikan, – përse Macron këmbëngul me forcë se, pavarësisht instikteve të shefit të Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara nuk ia lejojnë dot vetes tërheqjen e trupave nga Siria e t’ua lënë kështu rrugën të hapur ekstremistëve apo superfuqive rajonale si Irani”.

Kjo shpjegon për CNN-in se përse e përshëndeti aq ngrohtë Trumpin pas mbërritjes për vizitën e tij të parë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, e bëri gjithë atë rrugë për t’u treguar miqësor me Donald Trumpin, që është po aq jopopullor në Francë sa ç’është edhe në pjesën tjetër të Europës.

Tani pritet të shihet nëse së bashku me Angela Merkelin do të arrijë ta bindë presidentin amerikan, që të mos tërhiqet nga marrëveshja me Iranin, por perspektivat janë të zymta.

Top Channel