Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht udhëheqës i PDK-së, Kadri Veseli ka dalë me një platformë konkrete për bashkimin e spektrit politik në Kosovë rreth 5 temave me interes kombëtar.

Platformën e tij, përmes së cilës bën thirrje për krijimin e një ekipi të përbashkët udhëheqësish politikë, kryeparlamentari i Kosovës ua ka dërguar të gjithë krerëve të partive në vend.

Pesë janë temat e parashtruara aty: dialogu me Serbinë, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, themelimi i Ushtrisë së Kosovës, axhenda e integrimit europian dhe reforma zgjedhore.

Për Veselin, bashkimi i forcave nën drejtimin e presidentit është i domosdoshëm dhe një praktikë shumë rezultative, siç e cilëson ai, gjatë proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar vendi, që nga Rambujeja e deri në shpalljen e Pavarësisë.

Platforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse synon në mënyrë të veçantë arritjen sa më të shpejtë të qëllimeve për integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe përmbylljen e dialogut me Serbinë me qëllim ndërtimin e një partneriteti të fqinjësisë së mirë.

Nisma e Veselit apelon praktikisht për një konsensus politik, i cili të jetë në dobi të qytetarëve, perspektivën e tyre dhe të Kosovës në tërësi.

Për kreun e Parlamentit kosovar, unifikimi i qëndrimeve dhe ndërtimi i një platforme shtetërore të përbashkët sa i takon dialogut me Serbinë do të ishte garancia e përfundimit më të mirë të mundshëm të këtij procesi.

Ai thekson nga ana tjetër se, rrethanat e krijuara politike shtrojnë nevojën që themelimi i Asociacionit të Komunave me shumice serbe të shndërrohet në axhendë shtetërore, ndërsa kujton sesi përpjekjet e vazhdueshme për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës kanë qenë të pasuksesshme, duke theksuar rolin refuzues të Listës Serbe, e për rrjedhojë nevojën e qartë për unitet e përkushtim të përbashkët.

Top Channel