Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, që u zhvilluan nga data 20 deri në 22 prill në Uashington.

Në këto mbledhje marrin pjesë guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e Financave të vendeve anëtare, si dhe drejtues të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Guvernatori Sejko zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të FMN dhe BB. Gjatë këtyre takimeve, ai i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Guvernatori Sejko theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Ai shtoi se zbatimi politikës monetare stimuluese ka mbështetur rritjen e ekonomisë, të punësimit e pagave, si dhe të inflacionit.

Lidhur me sistemin bankar në vend, Gent Sejko u shpreh se sistemi karakterizohet nga tregues të mirë financiarë, megjithatë vuri theksin se nxitja e kreditimit dhe vijimi me planin e masave për reduktimin e kredive me probleme, mbetet një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë në të ardhmen.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte angazhimi i Bankës së Shqipërisë në bashkëpunimin me institucionet e tjera në vend për stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare, njohur si procesi i deeuroizimit. Guvernatori theksoi se qëllimi kryesor i këtij angazhimi është përmirësimi i efektivitetit të politikës monetare dhe ulja e rreziqeve për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale.

Zyrtarët e FMN dhe të BB nga ana e tyre theksuan se Shqipëria duhet të përfitojë nga trendi i rritjes ekonomike, stabiliteti financiar dhe sistemi i sigurt financiar, për të tërhequr investime të huaja, në mënyrë që kjo rritje ekonomike të jetë e shëndetshme në afat të gjatë.

Top Channel