Një grua thotë se përballet me një gjobë prej 500 dollarësh nga agjencia amerikane e doganave, pasi një mollë falas, që asaj iu dha ndërsa ishte në avion, u gjet në çantën e saj.

Crystal Tadlock, që po udhëtonte drejt SHBA nga Parisi, tha se ajo e kish ruajtur frutën për fluturimin vijues drejt Denverit. Por, molla u gjet në një kërkim rutinë të agjentëve kufitarë amerikanë, pas ndalesës së parë të saj në Minneapolis.

Patrulla e doganave dhe kufirit nuk e ka komentuar rastin, por ka thënë vetëm se të gjitha produktet bujqësore duhet të deklarohen. Molla iu dha në një qese plastike të linjës Delta Air. Tadlok tha se ajo nuk e kishte nxjerrë nga qesja, por e kishte futur në çantë për pjesën e dytë të udhëtimit, drejt Denverit, Colorado.

Ajo, postoi një foto në twitter të qeses plastike dhe kutisë ku ndodhej molla kontrabandë, e prerë, nën hashtagun një mollë në ditë nuk i mban doganierët larg.

Kur molla u gjet, Tadlock i tha agjentit të doganës se ajo e kishte marrë nga kompania ajrore dhe e kishte pyetur nëse duhej ta hidhte apo ta hante por në vend të përgjigjes, agjenti i kishte dhënë në dorë një gjobë 500 dollarëshe.

“Ai më pyeti nëse udhëtimi im në Francë, kishte qenë i shtrenjtë. Dhe unë iu përgjigja: Po…por nuk e dija përse ma bëri atë pyetje deri sa më tha…do të bëhet akoma më i shtrenjtë pasi të të gjobis me 500 dollarë”, është shprehur ajo.

Një zëdhënës i linjës “Delta Air”, tha se kompania inkurajonte klientët të zbatojnë protokollet e doganave dhe kufirit. “Molla në fjalë ishte pjesë e një vakti në fluturim dhe duhej konsumuar në avion”, tha ai.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel