Qeveria mblidhet në Fier, Rama debaton me fermerët për taksat

21/04/2018 15:10

Aktiviteti i qeverisë ka vazhduar në Qarkun e Fierit, ku kryeministri Edi Rama dhe ministrat kanë zhvilluar takime të ndryshme.

Në Lushnje, biznesmenët e vegjël i thanë Edi Ramës se barra fiskale i është rritur me futjen në skemën e re të TVSH-së.

“Nuk e paguan TVSH-në biznesi i vogël, që të jemi të qartë. Nuk e paguan TVSH-në biznesi i madh, por e paguan çdokush që blen. Thjesht, do të mbahen llogaritë sepse duam të kapim të madhin që fshihet pas tij”, deklaroi Rama.

Kurse në një takim tjetër për platformën për bashkëqeverisjen, kryeministri tha se kanë dalë problematika që nxjerrin në pah se sa u bihet në qafë qytetarëve. Sipas tij, janë vërejtur vonesa të pajustfikuara në mosdhënien e tapive brenda afateve. Çdo rast do të ndiqet për të nxjerrë përgjegjësitë, tha Rama, dhe këtu nuk përjashtohen as drejtuesit e hipotekave.

“Vonesat, zvarritjet dhe mosdhënia e shërbimit në kohë janë në radhë të parë përgjegjësi e drejtuesve të hipotekave. Nuk mund të fshihen pas një punonjësi që është shkaktar i drejtpërdrejtë i shkeljes së të drejtës për të marrë shërbimin”, shpjegoi Rama.

Rama kërkoi që qytetarët të informohen për marrjen e shërbimeve “online”, si një mjet efikas për uljen e burokracive dhe shmangien e korrupsionit.

Top Channel