Mbretëreshës i plotësohet dëshira. Princi Charles, kreu i ardhshëm i Commonwealthit

21/04/2018 11:50

Princi i Uellsit do të pasojë Mbretëreshën Elizabeth II në krye të Commonwealthit. Mbretëresha kishte thënë që më herët se, ishte dëshira e saj që Princi Charles ta pasonte në rol.

Udhëheqësit e Commonwealthit kanë diskutuar mbi këtë temë në një takim me dyer të mbyllura, në kështjellën “Windsor”.

Roli i kreut të Commonwealthit nuk është i trashëgueshëm, ndaj, jo automatikisht ai do të kalonte te trashëgimtari pas vdekjes së Mbretëreshës, me sugjerimin se mund të kalohej edhe te një rotacion mes 53 udhëheqësve.

Në një deklaratë për shtyp, krerët thanë se e njohin rolin e Mbretëreshës në mbrojtjen e Commonwealthit dhe populllit të tij.

Kryeministrja britanike, Theresa May, dhe ai kanadez, Justin Trudeau, më herët kishin dhënë mbështetjen e tyre për Princin Charles.

Duke folur në një konferencë pas takimit, May lëvdoi Mbretëreshën për vizionin dhe shërbimin e saj në rritjen e Commonwealthit nga 8 në 53 anëtarë. Ajo tha se ishte gjëja e duhur, që pas saj, në krye të unionit të qëndronte Princi Charles.

Në samitin dyditor morën pjesë 46 shefa qeverish të shteteve të Commonwealthit dhe ministra të Jashtëm nga 7 vendet e mbetura. Commonwealthi përfaqëson rreth 2.4 miliardë persona.

Top Channel