Gjiknuri shpërndan dëshmi të “Statusit të Naftëtarit” në Fier

21/04/2018 10:52

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ishte në Fier, së bashku me pjesën tjetër të kabinetit qeveritar, teksa gjatë një takimi me naftëtarët shpërndau për disa prej tyre dëshminë e “Statusit të Naftëtarit”.

Në takim ishin të pranishëm edhe deputetët e Qarkut të Fierit, Antoneta Dhima, Xhevit Bushaj dhe Ismet Beqiraj.

E ndërsa sqaroi se tanimë janë miratuar nga komisioni përkatës 1.000 aplikimet e para, ministri Gjiknuri premtoi se ky proces do të vazhdojë me intensitet.

“Qeveria, këtu në Fier miratoi edhe një shtesë personeli për ministrinë, të dedikuar vetëm për përpunimin e dosjeve për Statusin e Naftëtarit. Pra, do të ketë punonjës shtesë në ministri për t’i trajtuar këto kërkesa më shpejt. Naftëtarët kanë vuajtur shumë dhe kanë kontribuar shumë për ekonominë e vendit. Ne si qeveri menduam që t’u japim prioritet naftëtarëve dhe jam i bindur që ata e meritojnë, kanë sakrifikuar shumë dhe patjetër duhet të jenë të parët që duhet të trajtohen me një pension të posaçëm nga shteti”, u shpreh Gjiknuri.

Ministri u ndal gjithashtu edhe te një tjetër problem për Qarkun e Fierit, ai i Zharrëzës dhe fenomenit të lëkundjeve në këtë zonë. Ministri sqaroi se në zbatim të vendimit të qeverisë, tanimë edhe “Bankers Petroleum” do të japë pjesën e saj të kontributit financiar për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet.

“Është biseduar me ‘Bankers’ dhe është arritur marrëveshje që edhe ata të japin pjesën e tyre të kontributit. Do të krijohet një fond, si kontribut, që do të dorëzohet tek Emergjencat Civile. Pjesa e parë e fondit është dhënë nga qeveria, ndërsa tani do mund të akordohet pjesa e dytë. Gjithsesi do të bëhen verifikimet e duhura, që të sigurohemi se këto parà shkojnë për meremetimin e shtëpive dhe jo t’i shpenzojnë paratë e më pas të thonë se shtëpitë i kanë të dëmtuara. Pra, paratë do të shkojnë për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara aty. Ndaj këtij procesi do të bëhet verifikim. Paratë do të kalojnë në buxhetin e shtetit, por do të disbursohen në bazë të verifikimeve që do të bëjnë ekipet në terren. Jam i bindur që edhe deputetët, duke e ndjekur këtë proces me imtësi, do të na krijojnë edhe ne mundësinë që të jemi të drejtë në ato vendime që marrim”, sqaroi Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri tha se po bisedohet me kompaninë që të ketë dhe një policë sigurimi, e cila t’iu japë zgjidhje edhe situatave të mundshme pa rënduar buxhetin e shtetit.

“Nga ana tjetër, për të ardhmen jemi në diskutime me kompaninë që të bëjë edhe një policë sigurimi, që në çdo rast, sikur të ketë situata të tilla sizmike, pavarësisht se ne i kemi pezulluar proceset aty, fondi financiar të jetë nga kompanitë e sigurimit dhe qytetarët të mos paguajnë asgjë, pasi do të jetë kompania që do të derdhë në këtë fond sigurimi. Kjo, në mënyrë që edhe aktiviteti të vazhdojë, por edhe impakti ekonomik të mos rëndojë më te buxheti i shtetit, ndërsa qytetarët të jenë të siguruar për çdo ngjarje të mundshme”, tha Gjiknuri.

Top Channel