Turneu i TKOB në Itali. Artistët do të prezantohen me krijimet e Angjelin Preljocajt

20/04/2018 15:50

Këtë të dielë, trupa e TKOB do të udhëtojë drejt Puljas për të nisur një turne në vendin fqinj, duke çuar artin dhe kulturën shqiptare në skenat italiane.

Për të prezantuar traditën shqiptare janë zgjedhur pjesët e baletit “Dasma” dhe “La Stravaganza”, krijime të Angjelin Preljocajt, i cili tek “Dasma” sjell ritualin dhe zakonet shqiptare të zonës së veriut.

Mirela Kumbaro, ministre Kulture, deklaroi: “Është meritë e balerinëve të trupës sonë të baletit, të cilët veprën e Angjelinit vazhdojnë ta përcjellin, ta përkthejnë e ta interpretojnë gjithmonë e më mirë, nga një skenë në tjetrën”.

Ndërsa Zana Çela, drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, u shpreh: “Kjo është pjesë e projektit të madh të diplomacisë kulturore. Mendojmë që është një fat i madh që trupa jonë e baletit do të ekspozojë ndoshta një nga vlerat më të mira të repertorit të saj”.

Përzgjedhja e pjesëve të koreografit me origjinë shqiptare ka qenë e qëllimshme, pasi fama e tij ndërkombëtare është pasaporta më e mirë për prezantimin e kulturës shqiptare në skenat botërore.
Naomi Perlov, koreografe e trupës së Angjelin Preljocajt, theksoi: “Angjelini e ka krijuar këtë pjesë kur ishte vetëm 29 vjeç, unë 27. Sot jemi të dy të moshuar, por pjesa nuk është rrudhur aspak. Është një balet që vihet në skena të ndryshme botërore, por në Shqipëri ajo mbart një peshë që është shumë e fortë tek Angjelini”.

Turneu ka nisur edhe për Ansamblin Popullor, i cili është nisur drejt Brukselit për të konkurruar në festivalin “Balkan Traffik”.

Top Channel