Është ndarë nga jeta në moshën 28-vjeçare DJ me famë botërore, Tim Bergling, apo siç njihet me emrin e artit DJ Avicii.

Ai ishte një nga DJ më të njohur në mbarë botën. Emrin e vërtetë e kishte Tim Bergling, nga Suedia, por të gjithë e njohin si “Avicii”.

Megjithatë, në vend që admiruesit e tij të prisnin ndonjë perlë të radhës në prag të sezonit veror, duke ndezur diskotekat në mbarë botën, një lajm i kobshëm vjen nga Omani i largët.

DJ dhe producenti muzikor është gjetur i vdekur këtë të premte, pa ditur asnjë detaj se nga se apo si…

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Tim Bergling, i njohur edhe si Avicii”, njoftuan përfaqësuesit e tij në një deklaratë.

“Ai u gjet i vdekur në Muscat të Omanit, pasditen e kësaj të premteje. Familja është e shkatërruar nga ky lajm, ndaj kërkojmë me përulje respekt maksimal për nevojën e tyre për privatësi, në këtë moment tejet të vështirë. Të paktën për momentin nuk do të jepen më informacione apo deklarata”.

Avicci u tërhoq nga performancat e tij në vitin 2016, për shkak të problemeve shëndetësore. Disa prej hiteve më të shquara të tij janë “Levels”, “Wake Me Up” dhe “Hey Brother”.

Top Channel