Qeveria ka komentuar me tone optimiste vlerësimet e progres-raportit të Komisionit Europian për ekonominë shqiptare. Sipas Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, komisioni konfirmon ecurinë pozitive të ekonomisë duke theksuar se prodhimi kombëtar është rritur, ndërkohë që borxhi publik dhe papunësia kanë rënë.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ju referua progres-raportit të sapopublikuar nga Komisioni Europian, për të ilustruar ecurinë e ekonomisë shqiptare.

“Progres-raporti e thotë se ekonomia shqiptare u rrit me ritmet më të larta. Konsumi ka shënuar rritjen me të lartë në 7 vitet e fundit. E thotë Komisioni Europian, jo qeveria”, u shpreh ministri.

Sipas Ahmetajt, progres-raporti konfirmon uljen e borxhit publik dhe papunësisë, ndërkohë që edhe Banka Botërore ka të njëjtat vlerësime për ekonominë shqiptare.

“Banka Botërore thotë që Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku punësimi u rrit mbi 50 për qind të forcës së punës. Pagat janë rritur, ndërkohë që varfëria ka rënë”, tha Ahmetaj.

Kreu i Financave tha se këto dy vlerësime të paanshme hedhin poshtë pretendimet e opozitës, e cila sipas tij kërkon të baltos realitetin për përfitime politike.

Top Channel