Lista e ilaçeve të rimbursueshme zgjerohet me 36 barna, Rama: Do të përfshihet edhe herceptina

20/04/2018 16:28

Mbledhja e radhës e Qeverisë u zhvillua në qytetin e Fierit. Fill pas kësaj mbledhjeje, Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp për të njoftuar vendimet e marra.

E mes këtyre vendime, ai njoftoi zgjerimin me 36 ilaçe të tjera të listës së barnave të rimbursueshme dhe premtimin që në këtë listë do të futet edhe herceptina.

“Lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar për të mbuluar shtresat në nevojë. Janë 36 barna të reja që do të rimbursohen nga shtetit dhe ku do të përfshihet si një zgjidhje përfundimtare edhe herceptina, një medikament jetik për kancerin e gjirit, që ka një trajtim të shtrenjtë”, tha Kryeministri.

Rama tha se është hartuar një dokument orientimi të zhvillimit përmes investimeve të integruara publike dhe një sërë ndërhyrjesh prioritare në këtë qark nga 2018-2021. Ai premtoi se shumë shpejt do të nisë puna për përfundimin e bypass-it të Fierit dhe rrugës Fier-Seman.

Kryeministri përmendi edhe linjën e interkonjeksionit Fier-Elbasan-Maqedoni, si dhe inceneratorit, që thotë se do të zgjidhë problemin e menaxhimit të mbetjeve, por edhe do të prodhojë energji pa ndotje.

Top Channel