LDK qorton platformën e dialogut me Serbinë: E varfër dhe pa parime

20/04/2018 16:31

Lidhja Demokratike e Kosovës e quajti të varfër, pa tema diskutimi, pa parime dhe pa afate kohore platformën e prezantuar nga Qeveria për dialogun me Serbinë.

Një tjetër pakënaqësi e LDK-së është edhe roli udhëheqës që ka Presidenti i Republikës, sipas kësaj platforme.

Kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti thotë se partia e tij do të analizojë në ditët në vijim platformën dhe më pas do të dalë me një vendim më të qartë.

Hoti paralajmëroi gjithashtu edhe organizimin e një tryeze për të diskutuar mbi krizën, sipas LDK-së, që po kalon vendi.

“Do të diskutohet kriza institucionale dhe politike që po kalon vendi, humbja e shumicës parlamentare, mosfunksionimi normal i Kuvendit si dhe dështimi i funksionimit ligjor dhe kushtetues të institucioneve, siç ishte rasti me dëbimin e gjashtë shtetasve turq”, u shpreh ai.

Top Channel