Krimi në Fier e Lushnje, Xhafaj: Kemi identifikuar grupet! Së shpejti rezultate konkrete

20/04/2018 18:33

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj la të kuptohej nga Fieri se policia ka identifikuar grupet kriminale që operojnë në këtë qark dhe shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete.

“Në Fier dhe Lushnje ka disa probleme të kësaj natyre. Ka disa elementë, ka disa individë, por edhe grupe kriminale, të cilët kanë guxuar të përballen jo në pak raste edhe me policinë. Ne jemi të angazhuar fort sëbashku me Prokurorinë në një proces hetimi ndaj këtyre grupeve kriminale. Kemi goditur disa prej tyre dhe shumë shpejt do të shikoni rezultate konkrete edhe në Fier edhe në Lushnje ku ka pasur edhe ka dukuri të kësaj natyre”, u shpreh ai.

Ministri kërkoi bashkëpunimin e komunitetit.

Një deklaratë të ngjashme, Xhafaj e bëri më herë në Elbasan, gjatë Forumit Qytetar për Siguri Publike.

“Në Elbasan kemi 2-3 grupe kriminale që i njohim shumë mirë dhe po punojmë për to për di dokumentuar në mënyrë që shumë shpejt të mund ti vëmë para përgjegjësisë penale. Shteti është shumë më i fortë se çdo lloj krimineli. Për secilin nga ata duhet të jetë shumë e qartë që policia do ua nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të mund të përballet me drejtësinë”, deklaronte ai.

Top Channel