Anëtarët e Këshillit Kombëtar nisën të hyjnë një nga një rreth orës 18:00 në selinë e Partisë Demokratike.

Në këtë mbledhje diskutohen ndryshimet në statutin dhe propozimet e mbërritura, ashtu siç parashikohej ngjallen debate me kritikët e Lulzim Bashës brenda partisë. Sinjalet u dhanë që në fillim, kur një propozim i Arben Imamit dhe kritikëve të kreut të PD-së për të diskutuar më parë analizën për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar u hodh poshtë me forcën e votave.

Ndryshimet statutore që do t’i nënshtrohen votës finale në Kuvendin Kombëtar të 28 prillit neni për kryetarin nuk ka asnjë ndryshim thelbësor. Nuk parashikon dorëheqjen në rast të humbjes së zgjedhjeve.

Nuk parashikon as ngrirjen e funksioneve deri në zgjedhjen e kreut të ri, koncept që zoti Basha e praktikoi vete pas humbjes së thellë të zgjedhjeve deri në konfirmim e tij si kryetar me parimin një anëtar një votë.

Mësohet se motiv kryesor që në statut të mos parashikohet dorëheqja dhe për më tepër heqja e mundësisë së rikandidimit në rast të humbjes së zgjedhjeve është fakti se kundërshtarët në familjen politike do të punonin vazhdimisht për largimin e kryetarit dhe jo për forcimin e partisë.

Me parimin një anëtar një votë do të zgjidhen dhe kryetarët e grup seksioneve duke e fuqizuar shkallën e dytë të drejtimit të partisë në bazë. Ndërsa niveli më sipër, kryetarët e degëve do të vazhdojnë të zgjidhen nga kuvendet lokale. Por ata do të jenë pjesë e një organi të ri statutor që quhet kolegji i kryetarëve, i cili de facto ekzistonte pasi asnjë aksion politik nuk ndërmerrej pa konsultimin e tyre. Për marrëveshjet politike do të pyetet Këshilli Kombëtar, ndërsa për koalicione me parti të majta Kuvendi Kombëtar.

Statuti ka disa risi tjera, një prej të cilave zvogëlimi i kryesisë. Rikthehen anëtarët e zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, 15 të tillë, përveç drejtuesve të lartë të partisë, sekretarëve funksionalë dhe kryetarëve të forumit të gruas dhe rinisë.

Sa i përket zgjedhjes së kandidaturave për deputetë, statuti parashikon që pas konsultimit me anëtarësinë, me propozimin e Kryetarit të Partisë, Kryesia e vendos listën përfundimtare të kandidaturave elektorale.

Por vulën finale e ka Këshilli Kombëtar. Ajo çfarë Genti Malko si anëtar kritik në grupin e punës thotë se ka arritur është theksimi i parimeve ideologjike të PD, detyrimet ligjore për dekriminalizimin, lustracionin dhe pastërtinë e figurës dhe garantimin e karrierës për çdo kandidat që kërkon funksione politike në parti.

Por as ai dhe as Edit Harxhi nuk arritën të fusin konceptin e dorëheqjes së kryetarit kur humbet zgjedhjet, sikundër nuk figuron askund as premtimi i Lulzim Bashës për zgjedhjen apo votëbesimin çdo dy vjet të drejtuesve të partisë duke nisur nga kryetari.

Top Channel