Pompeo, Sekretar Shteti me votën e një demokrateje?

19/04/2018 22:33

Senatorja Heidi Heitkamp, një demokrate nga Dakota e Veriut, është bërë e para e këtij spektri që këtë të enjte ka deklaruar votën në mbështetje të të nominuarit nga presidenti Trump për Sekretar Shteti, drejtorin e CIA-s Mike Pompeo, duke i garantuar kështu – të paktën virtualisht, – se do të fitojë në votimin konfirmues.

Heitkamp, e cila përballet me një garë të vështirë për t’u rizgjedhur vjeshtën e këtij viti, në zgjedhjet e mesmandatit, në një shtet ku Trump fitoi me një diferencë dyshifrore përqindjeje, bëhet e para demokrate e Senatit që deklarohet pro Pompeos.

“Roli i Departamentit amerikan të Shtetit është mbështetja e misioneve tona diplomatike për të shmangur konfliktet, mbështetja e interesave amerikane, të qëndrojë në krah të aleatëve tanë, ndaj dhe pasja e një ekipi me lidership të lartë në detyrë është thelbësore për të kryer këto punë”, thotë ajo në një deklaratë.

Nëse Pompeo konfirmohet, Heitkamp tha se “do ta bënte përgjegjës Pompeon për garantimin e avancimit të lidershipit të vendit në botë dhe mbështetjen e ambasadave amerikane”.

Senatori Rand Paul, republikan nga Kentucky, kundërshton nominimin e Pompeos, ndërsa senatori John McCain do të mungojë për arsye shëndetësore, duke i lënë republikanët me maksimumin 49 vota për konfirmimin e Pompeos si Sekretar Shteti. Vota e Heitkampit do ta çonte numrin në 50, aq sa ç’nevojitet në këtë rast, një shumicë e thjeshtë.

Pompeo është përfshirë në një stuhi takimesh prej 11 orësh, kokë më kokë me demokratët, në kërkim të votës vendimtare.

Megjithatë, ende është e mundur që Pompeo ta humbasë këtë votim. Senatori Jeff Flake, republikan nga Arizona, tha të enjten se mbetet i pavendosur, megjithëse e kishte mbështetur atë për t’u bërë drejtor i CIA-s vitin e kaluar. Gjithsesi, Heitkamp mund të mos jetë e vetmja. Edhe demokratë të tjerë që përballen me një garë të ashpër, në kufijtë e së pamundurës për t’u rizgjedhur në shtete të fituara bindshëm nga Trumpi, mund ta përkrahin Pompeon.

Në fakt, e gjithë “lufta” po bëhet për votën e përgjithshme të Senatit, pasi në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të tij, Pompeo e ka të humbur procesin e votimit. Kjo, sepse demokratët e këtij paneli janë të gjithë kundër tij, ndërsa Rand Paul pritet të votojë gjithashtu kundër. Edhe nëse miratohet në rolin e Sekretarit të Shtetit, Pompeo do të jetë i pari kandidat që nuk merr mbështetjen e këtij Komiteti të Senatit.

Top Channel