Juventusi u ndal nga Crotone mbrëmjen e të mërkurës dhe pa të reduktohej në 4 pikë, distanca me Napolin ndjekës, në prag të sfidës direkte të së dielës në Torino.

Gjithsesi, trajneri Allegri nuk është i shqetësuar dhe thotë se skuadra tani duhet të përqendrohet te ndeshja e të dielës, që do të vendosë shumë sa i përket titullit kampion.

“Të luash ndaj Crotones nuk është aspak e lehtë. Lojtarët dhanë maksimumin, ndonëse nuk bëmë aq sa duhej për të fituar këtë takim. Le të themi që nuk ishte mbrëmja jonë dhe të fillojmë të mendojmë për sfidën e të dielës”, tha Allegri.

Java e 34-t e Serisë A do të kulmojë me sfidën Juventus-Napoli, në ‘Allianz Stadium’, ku një fitore e bardhezinjve do të mbyllte kampionatin, ashtu si një humbje do ta rihapte tërësisht atë.

“të dielën do të jetë një sfidë mjaft e bukur sigurisht. Nëse para një muaji e gjysmë do të më thoshin të nënshkruaja që të vija në sfidën direkte me 4 pikë avantazh, do ta kisha bërë pa u menduar dy herë. Gjithsesi të dielën do të luajmë për fitore, pasi nuk duam barazim. Të gjithë lojtarët janë në gjendje mjaft të mirë fizike dhe jemi gati të marrim maksimumin të dielën”, deklaroi trajneri i Juventusit.

Top Channel