Raporti i BE për Kosovën, Qeveria: Vlerësimi më pozitiv i viteve të fundit

18/04/2018 09:14

Qeveria e Kosovës është e kënaqur me raportin e Bashkimit Europian, të prezantuar një ditë më parë në Strasburg nga shefja e Diplomacisë Europiane, Federica Mogherini dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johanes Hahn.

Ky është raporti më pozitiv që ka pasur Kosova në vitet e fundit, si në lidhje me arritjet konkrete, ashtu edhe me trendin e avancimit të proceseve, thuhet në deklaratën e ekzekutivit kosovar. Duke cituar disa pika të përmendura në dokument si fusha ku është shënuar progres, që nga sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, rezultatet e mira në drejtim të zhvillimit ekonomik, votimin e marrëveshjes së demarkacionit.

Përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve dhe rifillimi i dialogut me Serbinë dhe integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sisteminkosovar të drejtësisë së Kosovës, qeveria atje thotë se “Kosova nuk ka dilema për rrugën e saj drejt BE-së, por përkundrazi është blloku ai që mbetet i përçarë sa i takon afrimit të vendit në familjen evropiane.

Progresi i përmendur në këtë raport, sipas saj, është dëshmi e qartë se të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave janë përmbushur”.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Bashkimit Europian nuk japin data se kur do të munde të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën.

Nga ana tjetër, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se kosovarët janë lodhur me raporte dhe se liberalizimi duhet të ndodhë sa më parë. Sa për raportin në vetvete, ka dhe zëra që kujtojnë se vërejtje të shumta për institucionet e vendit janë përsëritur edhe në këtë rast, sidomos ato që lidhen me politizimin e administratës publike, politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, apo pafuqinë e sistemit gjyqësor për largimin e ndikimeve politike.

Mogherini vetë pak e prekur çështjen e Kosovës në prezantimin e progresraportit, duke u ndaluar vetëm tek zbatimi i marrëveshjes së stabilizim asocimit dhe dialogu që po zhvillohet me Serbinë.

Top Channel