Nevoja urgjente për presidencë ekzekutive, Erdogan shpall zgjedhjet e parakohshme

18/04/2018 15:32

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 24 qershor, më shumë se një vit më herët nga ç’ishin planifikuar.

I pari i Ankarasë tha se ekzistonte nevoja urgjente për kalimin në presidencën ekzekutive. Në rast fitoreje, Erdogan do të siguronte fuqi të jashtëzakonshme, pas referendumit të vitit të kaluar që e ktheu Turqinë në një Republikë Presidenciale.

Udhëheqësi turk tha se e kishte marrë vendimin pas bisedimeve me kreun e lëvizjes nacionaliste, Devlet Bahçeli, i cili një ditë më parë parashtroi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare duhej të mbaheshin në nëntor të vitit 2019.

“Edhe pse presidenti dhe qeveria po punojnë në harmoni, sëmundja e sistemit të vjetër na pengon në çdo hap që ndërmarrim. Zhvillimet në Siri e në vende të tjera e bëjnë urgjente nevojën për kalimin në një sistem të ri ekzekutiv, që do ta forconte vendin tonë”, tha Recep Tayyip Erdogan.

Vitin e kaluar, Erdogani fitoi në një referendum për të ndryshuar Kushtetutën dhe për krijimin e presidencës ekzekutive. Sidoqoftë, këto ndryshime nuk janë të zbatueshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Përpjekja e dështuar për grusht shteti në korrik të vitit 2016 në Turqi nxiti kundërreagimin e ashpër të autoriteteve, që kanë arrestuar e shkarkuar nga detyra mijëra punonjës të drejtësisë, ushtrisë, medias etj.. Për komplotin u fajësua lëvizja e drejtuar nga kleriku në ekzil, Fethullah Gulen.

Top Channel