Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i dorëzoi kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev në Shkup, raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë në rrugëtimin e saj integrues, ku deklaroi se Maqedonia e ka merituar rekomandimin e pakushtëzuar të cilin KE e publikoi të martën.

“Maqedonia kaloi një rrugëtim të gjatë përskaj shumë sfidave, dhe tashmë i është rikthyer rrugës evropiane. Ka ndryshime pozitive, një ndjenjë të transparencës, energjisë dhe shpresës”, tha Hahn, sipas të cilit Maqedonia është shembull për ndryshime demokratike në rajon, që vlen të shpërblehet, por se reformat nuk duhet të ndalen, sidomos ato në gjyqësor”, është shprehur Hahn, teksa ka theksuar se Maqedonia dhe qytetarët e saj kanë merituar rekomandimin e pakushtëzuar për hapjen e negociatave.

Kryeministri Zaev falënderoi për raportin pozitiv të Komisionit Evropian, ndërsa u zotua për reforma të tjera në vijim. “Qeveria me energji shtesë do të punojë në proceset refomuese në dy muajt e ardhshëm, që vendi në qershor të marrë datë për çelje të negociatave me BE-në”, tha Zaev.

Top Channel