Gjatë vizitës së tij në ishullin Kastellorizo të Egjeut, këtë të martë, kryeministri grek Alexis Tsipras i dërgoi një mesazh “bashkëpunimi, por edhe vendosmërie” Turqisë.

Megjithatë, provokimet – siç shkruajnë mediet greke, – vazhdojnë, teksa avionët luftarakë turq kanë “ngacmuar” helikopterin “Chinook”, në bordin e të cilit gjendej Tsipras dhe kreu i Forcave të Armatosura, Evangelos Apostolakis.

Në kohën kur Tsipras dhe Apostolakis po fluturonin drejt ishullit Rhodes, nga Ro ku ishin nisur, dy avionë luftarakë turq që po fluturonin në lartësinë 3 km, i kërkuan pilotit të helikopterit grek, që në atë moment ishte në lartësinë 450 metra mbi nivelin e detit, të jepte të dhënat e fluturimit, sipas burimeve të Mbrojtjes greke.

Piloti vuri në alarm Forcat Ajrore greke, që nisën menjëherë në fluturim avionët luftarakë grekë, të cilët u ngjitën deri në 6 km lartësi për të detyruar ato turq të tërhiqeshin tej.

Ndërkohë, Roja Bregdetare turke dhe anije të Marinës janë mbledhur që prej së dielës në brigjet përballë ishullit Imia, bën të ditur “Kathimerini”.

Tsipras tentoi të adresonte agresionin gjithnjë e në rritje nga Ankaraja, në komentet e lëshuara nga Kastellorizo më herët gjatë ditës.

“Greqia nuk kërcënon askënd, por nuk është e frikësuar përballë askujt”, tha ai, për të shtuar më tej se “nuk do të dorëzojmë asnjë copëz territori”.

“Dua t’iu dërgoj një mesazh bashkëpunimi dhe bashkëjetese paqësore, por gjithashtu edhe vendosmërie”, theksoi më tej kryeministri grek.

Vizita e tij vjen mes një mosmarrëveshjeje mes Greqisë dhe Turqisë në lidhje me flamujt grekë, që autoritetet turke pretendojnë se kanë hequr nga disa ishuj grekë, pretendim që Athina e hedh poshtë. Gjithashtu, vizita vjen pas vdekjes gjatë javës së kaluar të një piloti të Forcave Ajrore greke, avioni i të cilit u rrëzua pas një misioni interceptimi ndaj avionëve turq “F-16” në Egje, e pas incidentit ku u përfshi një helikopter turk që fluturoi shumë pranë ishullit Ro, duke detyruar forcat turke të shtinin në shenjë paralajmërimi.

Duke folur nga i njëjti vend, ku ish-kryeministri socialist George Papandreou zgjodhi për të shpallur memorandumin e parë të Greqisë, Tsipras njoftoi daljen e planifikuar të Greqisë nga kësti i tretë i ndihmës në muajin gusht.

“Sot, afro 8 vite pas, ne kemi arritur pikën e fundit të kësaj periudhe të vështirë”, tha ai, teksa shtoi se Greqia po “hynte në rrugëtimin e fundit drejt një daljeje nga kriza”.

Udhëheqësi i “Demokracisë së Re”, Kyriakos Mitsotakis akuzoi Tsiprasin për “paturpësi” kur foli për një “dalje nga kriza”, duke fajësuar atë për barrën e rëndë ndaj Greqisë me këto “ndihma të fundit të panevojshme”.

Top Channel