Rekomandim pozitiv Shqipërisë, raporti i BE përmend edhe emrin e Tahirit

17/04/2018 12:04

Komisioni Europian pritet të rekomandojë sot zyrtarisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, pas përparimeve të cituara aty që nisin me ruajtjen e thellimin e reformave aktuale në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, me përparim në të pesë prioritetet kyçe e vijimësinë e rezultateve të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pikërisht vetingu, thekson KE, do të jetë vendimtar për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Në mbështetje të tij, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave që lidhen me Gjyqësorin, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë e sigurinë e vendit.

Top Channel disponon një kopje të raportit të plotë ku përmenden rezultatet e para të dukshme të vetingut me dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë, dëgjesa që çuan në shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese si dhe konfirmimin në detyrë të një tjetër gjyqtareje të këtij institucioni.

Komisioni Europian vëren se “përpjekje të mëtejshme të vendosura u ndërmorën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi ato kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj, duke kontribuar drejt arritjeve solide në hetime proaktive, arrestime e dënimeve. Katër pjesëtarë të parlamentit dhe një kryetar bashkie, theksohet mes të tjerash, i humbën mandatet gjatë procesit të dekriminalizimit dhjetorin e 2016-tës dhe janarin e 2018-tës.

Me kërkesë të Prokurorisë, vazhdon raporti, tetorin e vitit 2017 Parlamenti i hoqi pjesërisht imunitetin deputetit Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm.

Dokumenti bën një pasqyrë të detajuar të ecurisë së vendit në lidhje me kritere të ndryshme. Qeveria, sipas tij, mbetet e angazhuar ndaj procesit të integrimit në BE, por ritmi i reformave u prek nga fushata zgjedhore dhe ndryshimet në nivel ministror. Duke përshkruar situatën, KE-ja vëren se “polarizimi i fortë në skenën politike ka qenë i pranishëm”, ndërsa sillet në vëmendje bojkoti i opozitës pranverën e shkuar “çka shtyu në kohë gjithashtu edhe ngritjen e institucioneve të vetingut në gjyqësor” e më pas marrëveshja e majit mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, e cila pasoi me “organizimin pa probleme të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor, pavarësisht faktit se një numër rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it ende mbeten të paplotësuara”.

Top Channel