Prokurorja nuk justifikon pasurinë, nuk i dalin llogaritë për dy apartamente

17/04/2018 11:09

Besa Nikëhasa, pjesë e sistemit të drejtësisë prej 25 vitesh, ka pasuri kryesisht shtëpi e garazhe, burimi i të cilave nuk justifikohet.

48-vjeçarja e cila së fundmi është transferuar me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme si prokurore e Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë, u përball e vetme me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Asaj iu publikuan si kriter i dyshimtë vetëm pasuritë, ndërkohë që nuk u evidentua asnjë e dhënë për pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Trupa gjyqësore e vettingut tregoi se në raportin e ILDKPKI , pasuritë e prokurores ishin në rregull.

Por ky konkluzion deklaroi Genta Tafa Bungo nuk është marrë në konsideratë, pasi vetë organi i vettingut ka kryer një hetim administrativ duke nxjerrë edhe defektet e dyshimta.

Siç rezultoi në seancën dëgjimore, edhe prokurorja Nikëhasa sikurse edhe dy gjyqtarëve të mëparshëm që ju është dhënë kartoni “jashtë gjyqësorit”, rezulton të ketë investuar në pasuri të patundshme sikurse shtëpitë.

Gruaja e akuzës nuk justifikon sipas KPK tre banesa në Tirane, Lezhë e Shëngjin si edhe një automjet Land Cruiser, që kushton 19 mijë euro.

Prokurorja Nikëhasa e cila kishte barrën e provës u shpreh se automjetin e kishte blere për hall pasi udhëtonte shpesh. “Unë jam nënë e tre fëmijëve”, tha prokurorja , “dhe një periudhë kohe më transferuan në Mat, më nevojitej një makinë e sigurtë”.

Duke e klasifikuar veten tek të ndershmet, prokurorja i konsideroi mos justifikimin e pasurive si llogari të bëra keq nga KPK por edhe si lapsuse të noterit. Prokurorja tregoi se kishte rrezikuar jetën pasi në një rast e kishin kërcënuar me tritol.

Vendimi për prokuroren që është gjithashtu kandidate për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, do të shpallet të premten, megjithëse siç u kuptua nga ballafaqimi edhe ajo ka pak shanse të kalojë filtrat e vettingut.

Top Channel