Sot rreth orës 15:30 minuta, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, do të prezantojë zyrtarisht para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në Strasburg progres-raportin për vendet që duan të bëhen pjesë e Unionit, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Sapo Mogherini të ketë mbaruar me prezantimin e raportit duke dhënë edhe rekomandimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë, përfaqësuesja e saj në Tiranë, ambasadorja Romana Vlahutin, do të niset t’i dorëzojë raportin e printuar krerëve te tre institucioneve kryesore në vend, duke nisur me Edi Ramën në selinë e Kryeministrisë, ku pritet të mbërrijë rreth orës 16:30. Më pas Vlahutin do të pritet nga Presidenti Meta rreth orës 17:30, ndërsa rreth gjysmë ore më pas do të paraqitet pranë Kryesisë së Kuvendit, për t’i dorëzuar progres-raportin kryeparlamentarit Ruçi.

Ndërkohë, gjatë pasdites së sotme pritet të mbërrijë në Tiranë vetë kryediplomatja e BE, Mogherini, që do të darkojë në shoqërinë e Kryeministrit Rama. Takimet zyrtare do t’i nisë të mërkurën paradite duke filluar pikërisht me kreun e Qeverisë, me të cilin do të dalë edhe në një konferencë për shtyp rreth orës 11:00.

Më pas shefja e Politikës së Jashtme të Unionit do të pritet nga Presidenti Meta, ndërsa në axhendën e saj është edhe një takim me opozitën. Top Channel ka mësuar se Federica Mogherini do të takohet të mërkurën me kryedemokratin Basha, ku prezente do të jetë edhe kryetarja e LSI-së, Kryemadhi.

Tashmë që rekomandimi për hapjen e negociatave është i sigurt, Tirana zyrtare po lobon që çelja e tyre të nisë në qershor. Nga mazhoranca bëjnë me dije se e vetmja pikëpyetje vjen nga Gjermania, për shkak të procedurave të veçanta të Bundestagut që deri atëherë ka në axhendë vetëm 4 seanca plenare. Nëse qoftë se edhe një prej vendeve anëtare nuk do arrijë të japin OK-in brenda qershorit, ulja e Shqipërisë në tryezën e negociatave pritet të shtyhet për në muajin dhjetor.

Top Channel