Presidenti francez Emmanuel Macron i tha ligjvënësve europiane në Strasburg se BE-ja nuk duhet të pranojë vende të reja derisa blloku të ketë një integrim më të thellë e t’i jetë nënshtruar reformave gjithëpërfshirëse.

“Unë e dua ankorimin e shteteve të Ballkanit perëndimor në projektin europian”, citon Washington Post shefin e Elizesë, “por tani nuk është momenti për të lejuar anëtarësime të reja”.

Duke iu përgjigjur kreut të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, i cili i bënte thirrje të angazhohej në zgjerimin drejt vendeve të Ballkanit, Macron përsëriti qëndrimin e vet se shtrirjen e BE-së do ta mbështesë vetëm nëse ka një thellim” të projektit europian. “Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë apo Rusisë, por nuk dua gjithashtu që një Europë, e cila funksionon me vështirësi sot me 28 anëtarë e nesër me 27, të vendosë se do të rendim nesër me 30 apo 32 anëtarë dhe me të njëjtat rregulla”, mësohet të ketë thënë presidenti francez.

Sipas mediave vendase, Macron i dërgoi në këtë mënyrë një sinjal të qartë Berlinit se do të mbështesë anëtarësimin e vendeve të reja në BE vetëm nëse Gjermania do të mbështesë projektin e tij për ristrukturimin e thellë të Bashkimit Europian.

Krerët e BE dhe ata të Ballkanit takohen muajin e ardhshëm për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit të paqendrueshëm, shkruan Washington Post, por blloku 28-vendësh nuk ka gjasa të ftojë ndonjë vend të rajonit që t’i bashkohet radhëve të tij.

Fjalimi i Macron në Strasburg u fokusua realisht tek reformat, duke nisur nga ato tatimore. Kreu i Elizesë propozoi krijimin e një takse të re mbi ekonominë dixhitale për të ndihmuar financimin e buxhetit të BE-së, që siç u shpreh ai, e ka të nevojshëm një rishikim pas largimit të Britanisë së Madhe.

Top Channel