“Le Figaro”: Veliaj, kryebashkiaku i ri, që po e shndërron Tiranën në qytet Evropian

17/04/2018 11:17

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, Erion Veliaj, rrethohet nga staf i ri, brilant dhe me dëshirën për ta shndërruar Tiranën në një qytet modern dhe të këndshëm për të jetuar”, kështu e nis artikullin e saj gazeta e mirënjohur franceze “Le Figaro”, e cila i ka kushtuar një artikull të veçantë transformimit rrënjësor që ka pësuar kryeqyteti shqiptar në këto tre vite.

“Le Figaro” shkruan se kryebashkiaku i ri ka nisur një revolucion të vërtetë në Tiranë, bashkë me ekipin e tij, që gëlon nga idetë e reja.

Mandej, gazetari i Le Figaro rendit edhe disa prej projekteve të suksesshme të ndryshimit të Tiranës, si sheshi “Skënderbej”, që deri para pak kohësh shërbente si rrethrrotullim makinash, duke iu rikthyer këmbësorëve, apo Pazari i ri, i cili nga një zonë e rrënuar dhe e ndotur, tashmë është një treg tradicional, me kafene nga më modernet.

Më poshtë, lexoni shkrimin e plotë :

Tirana, qyteti i konceptuar nga Mussolini, hyn në shekullin e XXI

Kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, Erion Veliaj, rrethohet nga një staf i ri, brilant dhe entuziast, i cili po e shndërron Tiranën në qytet modern dhe të këndshëm për të jetuar

Nga Fabrice Nodé-Langlois/Le Figaro

Erion Veliaj e ka pothuajse të pamundur të bëjë dhjetë hapa në rrugët e Tiranës pa u ndalur nga të rinj – në veçanti vajza, por jo vetëm – të cilat i kërkojnë një ‘selfie’. I veshur me pantallona xhins dhe atlete sportive, me një çantë mbi shpinë, kryetari i ri 38 vjeçar bën xhiron e qytetit dhe në çdo dyqan tregtarët e qerasin të provojë kush ca ullinj berati, kush një qofte zgare, e kush tjetër një gotë raki ripërtëritëse.

Kryetari i Bashkisë ecën ngadalë në çdo cep të sheshit Skënderbej, sheshi kryesor i Tiranës, që deri para pak kohësh ishte një rreth-rrotullim gjigant i tejmbushur me autovetura. Sheshi, i cili rrethohet nga Muzeu Kombëtar me mozaikun në stilin më klasik komunist, dhe nga Teatri i Operas dhe i Baletit, një tjetër dëshmi e arkitekturës komuniste, i është rikthyer tashmë këmbësorëve. Gjatë verës uji rrjedh nga disa shatervane dhe shpërndahet në të gjithë sipërfaqen e tij, çka sipas kryetarit të ri të Tiranës ndikon në uljen deri me 8°C të temperaturës.

Erion Veliaj bën pjesë në brezin e shqiptarëve që ishin ende fëmijë gjatë rënies së diktaturës komuniste (1944-1991). Themeluesi i regjimit komunist, Enver Hoxha, mishëronte versionin evropian të diktatorit koreanoverior Kim Il-sung. I diplomuar në universitetet e Britanisë dhe Amerikës, kryetari i Bashkisë së Tiranës rrethohet nga një staf i ri, brilant dhe entuziast, që flet disa gjuhë të huaja. Ekipi i tij gëlon nga ide të reja për ta shndërruar qytetin e një milion banorëve – një e treta e Shqipërisë – në një qytet modern dhe të këndshëm për të jetuar.

Kështu, ai shndërroi Pazarin e Ri nga një zonë e rrënuar dhe e ndotur, në një treg tradicional, ku gjen kafene nga më modernet. Po ashtu, ai bindi kompanitë më të mëdha të vendit të financojnë rinovimin e kopshteve të fëmijëve, të cilat ishin në gjendje të mjerueshme.

Bashkëpunimi me Veronën
Kryetari i Tiranës ka nisur një revolucion të vërtetë, duke krijuar parkime me pagesë në të gjithë qytetin. Kundrejt pagesës (100 lekë), shoferi merr një SMS ku informohet se pagesa që ka kryer me telefon do të financojë mbjelljen e një peme në pyllin orbital që do të rrethojë kryeqytetin. Gjithnjë në ndjekje të shembujve më të mirë të qyteteve të huaja, Erion Veliaj ka krijuar një ndërmarrje të përbashket me Bashkinë e Veronës, me qëllim administrimin e mbetjeve urbane. Qytetarët e Tiranës mund të sinjalizojnë mosgrumbullimin e tyre në aplikacionin ‘Tirana Ime’, i cili ofron akses në kohë reale edhe në kamerat që monitorojnë trafikun e qytetit.

I riu i zgjedhur si Kryetar Bashkie në vitin 2015, ndjek hapat e mentorit të tij, Kryeministrit aktual Edi Rama, i cili fillimisht si Ministër Kulture dhe më pas si Kryetar Bashkie, ndërmori një transformim thelbësor të kryeqytetit. Tirana, qytet i konceptuar nga arkitektët e Musolinit gjatë pushtimit italian në vitet 1939, pësoi ndryshime të mëdha me rënien e komunizmit. Gjatë fillim viteve 1990, për shkak edhe të eksodit rural, u ndërtuan shumë godina në mënyrë arkaike dhe të paligjshme.

Megjithë mungesën e burimeve financiare, Kryetari energjik i Bashkisë së Tiranës, avancon duke praktikuar metodën e ‘akupunktures’: “Duhet ndërhyrje në pikat nevralgjike, të cilat ndikojnë në zhvillimin e të gjithë komunitetit”, shpjegon ai.

Megjithatë, një prej krenarive më të mëdha të Erion Veliajt mbetet bashkëjetesa në harmoni e komuniteteve fetare. “Është e vështirë të gjenden kryeqytete në bote që në pak metra katrorë të gjesh një xhami, një kishë ortodokse, një tempull apo bustin e papa Françeskut, i cili vizitoi Tiranën në vitin 2014”.

Top Channel