Me plastikën, shkenca arriti të zhvillonte atë që u konsiderua si materiali i mrekullueshëm. Tani, një enzimë natyrore e përmirësuar mund të ndihmojë pastrimin e ndotjes së njërit prej llojeve më të vështira të saj.

“Polietilen tereftalate”, apo ndryshe “PET”, një lloj plastike e fortë e përdorur zakonisht për prodhimin e shisheve, kërkon vite të tëra që të shpërbëhet në ambient. Por, enzima e modifikuar aksidentalisht në laborator mund ta shpërbëjë këtë material brenda disa ditësh.

Një zhvillim i tillë premton të revolucionarizojë procesin e riciklimit dhe të lejojë një ripërdorim më efikas të plastikës në të ardhmen.

Enzima që “ha” plastikën është zbuluar fillimisht pak vite më parë, në një qendër riciklimi në Japoni. Tani, hulumtuesit e Universitetit britanik të Portsmouthit, krijuan një model “3D” të saj, të definicionit të lartë, duke përdorur rreze të fuqishme “X” dhe sapo e kuptuan strukturën e enzimës vunë re se mund t’ia përmirësonin performancën, duke rregulluar vetëm disa mbetje në sipërfaqe.

Në këtë mënyrë krijuan një enzime të re, edhe më efikase, në shkatërrimin e plastikës “PET”.

Rezultatet janë mahnitëse, megjithatë edhe sfidat që presin aplikimin e tyre në botën reale nuk janë të vogla. Zhvillimi i një teknike për prodhimin e enzimës me çmim të ulët do të jetë një pengesë kryesore. Një tjetër do të jetë shfrytëzimi i fuqisë së tij në një shkallë industriale.

Sipas një studimi trevjeçar të botuar në revistën “Raportet Shkencore”, muajin e kaluar, një grumbull gjigant mbeturinash në Oqeanin Paqësor, i njohur si fasha e plehrave të Paqësorit, po rritet më shpejt sesa pritej dhe tani është tri herë më i madh sesa Franca, e më shumë sesa dyfishi i madhësisë së Teksasit.

Top Channel