Presidenti Donald Trump komentoi të dielën se ish-drejtori i FBI-së James Comey, të cilin zoti Trump e shkarkoi nga detyra, duhet të futet në burg pasi ka nxjerrë informata sekrete dhe ka gënjyer Kongresin.

James Coemy sapo ka botuar një libër me kritika të forta në adresë të presidentit.

Disa orë para një interviste të shumëpritur me zotin Comey, Presidenti Trump postoi një barazh sulmesh ndaj ish-drejtorit të FBI-së. Libri i zotit Comey, i titulluar “Një Besnikëri më e Lartë” do të dalë në treg të martën dhe është aktualisht shumë i kërkuar, siç dëshmojnë porositë në sitet elektronike që e shesin.

Në libër, zoti Comey e krahason Donald Trumpin me një “bos të mafias” dhe thotë se presidenca e tij ka marrë tiparet e “zjarrit në pyll”.

“Pyetjet qendrore për librin e kritikuar të Comey-t mbeten pa përgjigje. Si ka mundësi që ai nxori informata sekrete (të burgoset)”, shkruan presidenti në Twitter. Siç duket këto komente i referohen shënimeve që ka mbajtur zoti Comey për bisedat që ka zhvilluar me presidentin. Por në fakt këto shënime nuk përbëjnë informacion sekret. Nuk është e qartë se për çfarë e ka fjalën presidenti kur thotë se Comey ka gënjyer Kongresin gjatë dëshmisë së tij.

Top Channel