Departamenti Amerikan i Shtetit denoncon publikisht deputetin shqiptar Tom Doshi sipas ligjit amerikan, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion në nivel të lartë.

Ligji parashikon që në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të huaj janë përfshirë në korrupsion në nivele të larta, apo kanë shkelur të drejtat e njeriut, këtyre individëve dhe familjarëve të tyre të afërt nuk u lejohet të hyjnë në territorin amerikan.

Ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit të denoncojë publikisht, apo privatisht këta zyrtarë dhe anëtarë e familjeve të tyre.

Veç denoncimit publik të  deputetit Doshi, Departamenti gjithashtu denoncon publikisht bashkëshorten e tij, Xhovana Doshi dhe fëmijët e tij.

Nën të njëjtin arsyetim, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar më herët edhe ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Shefi i diplomacisë amerikane ka miratuar ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes, Ardjana Llalla dhe fëmijëve.

Më 2 shkurt të 2017, një listë me prokurorë e gjyqtarë, mes të cileve edhe ish-kreu i Prokurorisë, Adriatik Llalla iu refuzua dhënia e vizës amerikane.

Vendimi vinte para nisjes së vettingut dhe u komentua gjerësisht si një vetting amerikan për njerëzit e drejtësisë. Ajo që ndodhi më pas i konfirmoi komentet.

Mes ish-kryeprokurorit dhe ambasadorit amerikan, Donald Lu pati dukshëm një marrëdhënie të tensionuar. Konseguenca me të cilën ambasadori amerikan e ndoqi rrugëtimin e Llallës, edhe pas largimit nga sistemi i drejtësisë tregon që asgjë nuk ishte rastësi, apo qëndrim spontan.

Në kohën kur ish-prokurori deklaroi largimin nga drejtësia dhe për këtë njoftoi edhe organet e vettingut, ambasadori iu rikthye duke bërë të qartë se historinë e Llallës nuk do ta mbyllë as kërkesa e tij për të mos qenë më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Përmes dy mesazheve në Twitter, Lu reagoi se vendimi për tërheqje nuk i shfajëson ish-zyrtarët nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion, apo shpërdorim.

Po a kanë amerikanët një listë të zezë për të dyshuarit si të implikuar në korrupsion? Një vit më parë e kishin, ndërsa tani zhvillimet tregojnë se ish-kryeprokurori nuk do të jetë i fundit.

Top Channel