Kreu i grupit parlamentar Edi Paloka tha se “nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën, deri në lirimin e kuksianëve që mbahen në burg”.

Pas mbledhjes së grupit, ai komentoi dhe deklaratën e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke e quajtur premtimin për luftën ndaj krimit, si një film që është para para 5 vjetësh.

“Sot Xhafa ka dalë me paturpësi të flasë për luftën kundër krimit, është gjë e mirë që pas 5 vjetësh në pushtet qeveria del e thotë se ka skeduar grupet kriminale dhe do i godasë. Pas pesë vjetësh. Ky është një film që kemi parë që 5 vjet më parë ku u premtua se brenda 300 ditëve do të goditej krimi, po ajo që ndodhi ishte kanabizimi i vendit dhe një ministër i Brendshëm që ishte në krye të trafikut të drogës, dhe që sot në vend që të jetë në burg ai bredh i lirë e po bëhet gati të vijë të na mbajë fjalime në Parlament. Sot Xhafaj duhet të japë të tjera përgjigje”, tha Paloka.

Partia Demokratike ka denoncuar me zë dhe figurë falsifikimin akteve të shoqërimit në polici të protestuesve të Kukësit.

“Nuk do të ketë qetësi për Edi Ramën derisa qytetari i fundit i Kukësit mbahet pa të drejtë në burg. E pranoi me gojën e tij që ishte fajtori. Por ndërkohë të mbajtur peng e të grabitur në burg, janë qytetarët e Kukësit”, tha Paloka.

Sipas tij policia dhe prokuroria kanë falsifikuar orën kur ata janë marrë nga policia, duke u shprehur se dhe prokuroria “gjithashtu është në duart e Edi Ramës”.

Top Channel