Minatorët kërkojnë statusin. Biseda me kryeministrin, Rama: Po punojmë

16/04/2018 11:52

Kryeministri Rama, në prani edhe të ministrave Ahmetaj e Gjiknuri, ka zhvilluar ditën e sotme një interpelancë me minatorët.

Minatorët kanë kërkuar miratimin e statusit dhe rritjen e pagave dhe pensioneve.”Pagat minimale, jo më pak se 200 përqind e pagës minimale zyrtare. Kërkojmë që pensioni minimal të jetë 131 përqind i pagës minimale. Përkujdesje maksimale për familjet e minatorëve që humbin jetën në minierë. Përshkallëzim i moshës së pensionit. Një minator që ka 12 vjet nën tokë dhe 30 vite punë gjithsej, del në pension 55 vjeç, ndërsa dikush që ka më pak muaj punë del në pension 65 vjeç”, ishin disa nga kërkesat e minatorëve.

Ndërkohë, Kryeministri Rama e nisi fjalën e tij duke thënë se ka një keqkuptim të madh lidhur me taksat.

“Shqipëria ka një dallim të madh të aksesit në medikamente krahasuar me dje. Kemi hequr taksën e ilaçeve. Më tregoni një taksë që ka rritur qeveria përveç karburantit”, tha Kryeministri.

Ministri Gjiknuri u shpreh se minatorët kanë filluar të paguhen më mirë. Ai tha se ekzsiton një draft deri diku i dakordësuar.

Ndërkohë, ministri Ahmetaj tha se grupi i punës do të thellohet me të gjitha propozimet që ju keni bërë. “Do të ishte mirë që të kishte një dakordësi nga të gjithë sindikatat e minatorëve. Paketa sociale e qeverisë ka qenë solidare brenda mundësive të buxhetit. Rimbursimet janë rritur me 30 përqind, e cila është shumë e rëndësishme edhe për ata që nuk janë të siguruar”.

Më tej, Rama tha se ka një ngërç në pensione për ata që kanë dalë në pension para reformës.

“Jemi në kushtet kur ka një dialog mes qeverisë dhe grupeve e sindikatave të minatorëve. Kem të gjithë gatishmërinë dhe gjithë fleksibilitetin e duhur për të avancuar deri aty ku e mban buxheti dhe interesi i përgjithshëm. Një gjë që e kam theksuar edhe më parë. Ne kemi bërë jo pak edhe pse nuk është mjaft. Sot, sektori është ndryshe nga sa ishte. Kemi investime serioze, ndryshime serioze në interes të minatorëve. Kemi edhe disa investime që hapin rrugën për përpunimin në vend të mineraleve. Kemi bërë një reformë pensionesh, e cila ka hapur një perspektivë të re për të gjithë minatorët që dalin në pension. Këtu jemi në një ngërç për ata që kanë dalë në pension para reformës. Ata që janë në pension para reformës tonë, paguajnë pasojat e mungesës së kurajës për të reformuar pensionet. Sot, kemi një sistem pensionesh të reformuar dhe çdokush del sot në pension ka një pension të ndryshëm nga tjetri që ka pasur në punë. Ne jemi shumë të interesuar për rritjen e pagës minimale. Jemi shumë të interesuar edhe për skemën e prezantuar sot nga ju. Ka një kosto, por kostot unë besoj duhet t’i shohim bashkërisht, sepse Fiqiriu është me laps në dorë dhe ministrat po ashtu dhe jo të gjithë lapsat kanë një fund”, tha Rama.

Top Channel