Nëse Milo Gjukanoviç është diçka, ai është një mbijetues. Zgjedhjet e së dielës e rikthyen në krye të shtetit, duke bërë që në një formë apo një tjetër, ai ta qeverisë Malin e Zi prej gati 3 dekadash.

“Një rekord, – thotë “The Times”, – që do t’i ngjallte zili edhe Vladimir Putinit apo Alexander Lukashenkos së Bjellorusisë”.

Ishte pikërisht ky njeri, që e largoi vitet e fundit Malin e Zi nga aleanca tradicionale e ngushtë me Rusinë.

Nga këtu përligjen akuzat e tij për Moskën dhe përfshirjen e saj në përpjekjen e grushtit të shtetit ditën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, në tetor të vitit 2016.

Podgorica i ka mbështetur të gjitha sanksionet perëndimore kundër Rusisë, që vazhdon ta mohojë përfshirjen në atë ngjarje.

Gjukanoviçi mbetet në thelb një figure polarizuese, jo vetëm brenda kufijve të vendit të tij, por edhe në plan ndërkombëtar.

Kritikët e akuzojnë për nepotizëm, korrupsion masiv e praktika diktatoriale. Një numër anëtarësh të familjes së tij mbajnë pozicione të larta politike, gjyqësore dhe në biznes. Kundërshtarët argumentuan gjatë kësaj fushate se, postin e presidentit ai po e rikërkonte me qëllimin e vetëm t’i shmangej ndjekjes penale.

E vërteta është se, rezultati i votimeve të së dielës i jep një goditje të forte grupeve proruse, që iu kundërvunë ashpërsisht anëtarësimit në NATO në vitin 2017.

“Presidenti i përjetshëm”, siç e quajnë mediet gjermane, ka pasur pjesën e tij të stuhive, nga luftërat e përgjakshme të viteve 1990, te kundërshtimi ndaj Sllobodan Milosheviçit, e më pas akuzave nga Italia dhe Gjermania për kontrabandë të madhe cigaresh.

Ai ka shërbyer si kryeministër apo kryetar shteti në mënyrë thuajse të pandërprerë që nga viti 1991, e sa herë është larguar nga skena politike është rikthyer me mjaft shpejtësi. Si kreu i partisë “DPS”, Gjukanoviçi ka qenë gjithmonë në gjendje të tërheqë fijet e pushtetit, edhe nga prapa skenave, e zgjedhjet e fundit me sa duket nuk kishte sesi të përbënin ndonjë ndryshim.

Top Channel