Draft raporti, EUObserver: Shqipëria dhe Maqedonia mund të nisin negociatat

16/04/2018 09:44

Shqipëria dhe Maqedonia mund të nisin negociatat për anëtarësim në BE, por abuzimet me të drejtat e njeriut lënë në pritje Turqinë, do të thotë Komisioni Europian.

Kështu e nis shkrimin e tij EUObserver, i cili citon dhe pjesë ekskluzive të draftit : “Në vazhdën e progresit të arritur Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë”, do të thotë Komisioni në raportin e zgjerimit, që pritet të martën, më 17 prill.

EUObserver thotë se e njëjta formulë përdoret dhe për Maqedoninë, por sipas saj rekomandimi është fillimisht për Shqipërinë. Kjo vjen 15 vjet pasi është firmosur Marrëveshja e parë e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe dhjetë vjet pasi shtetet e Ballkanit Perëndimor, që kanë qenë vende me diktaturë komuniste, iu bashkuan NATO-s.

Kjo vjen me një strategji të re të komisionit për të përshpjetuar zgjerimin. Ndërkohë, dy ditë më parë ishin mediat gjermane që bën të ditur se drafti i KE flet për hapje negociatash për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Shtetet “favorite” si Serbia dhe Mali i Zi mund të bëhen pjesë e BE në 2025, thotë EUObserver. Ndërkohë ministrat e Jashtëm të BE do të diskutojnë për Ballkanin Perëndimor në Luksemburg këtë të hënë.

Ato do të rishikojnë “Angazhimin e tyre për të lehtësuar dialogun mes Serbisë dhe Kosovës” për normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe diskutimin e çështjeve të sigurisë në rajon, ka thënë një diplomat i BE-së.
Gjithashtu ata do të diskutojnë dhe se si do ti referohen Kosovës, e cila nuk është njohur ende nga pesë shtete të BE-së, në deklaratën e samitit të Sofjes, shton diplomati.

Top Channel