Kryeministri bullgar, Boyko Borissov deklaroi se, nëse Kosova e Serbia nuk nënshkruajnë një marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre, asnjëra palë nuk do të integrohet në Bashkimin Europian.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, ku u takua me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Kreu i ekzekutivit bullgar tha se, dy vendet duhet të gjejnë një zgjidhje.

“E keni për detyrë të gjeni kompromisin e arsyeshëm, që të mund të shkojmë përpara. Të gjitha korridoret europiane shërbejnë edhe për ju, e në këtë mënyrë i tërë rajoni do të jetë i ndryshëm. Kryesorja është të mos shohim mbrapa, por përpara, dhe në muajin maj, në Samitin e Sofjes të mund t’u themi udhëheqësve europianë që të gjithë në Ballkan janë të vendosur”, tha Borissov.

Borissov u bëri thirrje udhëheqësve të Ballkanit t’i lënë mënjanë egoizmat personale, sepse egoja e njërit shtet, sipas tij mund të shkaktojë probleme për shtetet e tjera, e kjo në një kohë kur Bashkimi Europian nuk dëshiron që problemet historike dhe gjeografike të transferohen brenda radhëve të tij.

Në muajin maj, në Sofje të Bullgarisë pritet të mbahet takimi i lartë ndërmjet udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Europian dhe të të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, që synojnë integrimin.

Por, prania e Kosovës në këtë samit ka ngjallur reagime të disa vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Kryeministri bullgar tha se ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që në datat 16 dhe 17 maj të jetë i pranishëm në Sofje.

Thaçi, nga ana e tij u shpreh se Kosova kërkon jo vetëm vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, por t’i shndërrojë ato në negociata të mirëfillta të fqinjësisë së mirë, të pajtimit dhe të paqes ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por edhe për rajonin.

Top Channel