Superliga, të gjithë sytë në Kukës

14/04/2018 09:56

Kategoria Superiore vjen sot me 4 nga 5 takimet e vlefshme për javën e 29, teksa vëmendja është përqendruar në Kukës, ku vendasit do të presin Partizanin në orën 16:00.

Skuadra e Pacult ka konsoliduar pozitat në vendin e dytë dhe një fitore sot, do ta bënte thuajse të sigurt këtë pozicion të renditjes për ta. Nga ana tjetër, Partizani është rikthyer me Dalipin në stol dhe në javët e fundit ka bindur si me lojë ashtu edhe me rezultate. Skuadra kryeqytetase vjen në këtë takim, si skuadra e 3-të më e mirë në renditje dhe do të kërkojë fitoren, për të rihapur shpresat për vendin e dytë dhe për të përfituar nëse mbetet në fuqi pezullimi i Skënderbeut.

Një tjetër duel për Europën do të luhet edhe në Gjirokastër, ku Luftëtari vendas do të presë Laçin. Skuadra e Likës do të synojë 3 pikët për t’u bërë pjesë e 4-shes së parë të renditjes, ndërsa Laçi i Mezanit është në krizë rezultatesh dhe nëse nuk reagon, rrezikon të ‘hedhë në erë’ këtë sezon mjaft të mirë që ka zhvilluar deri para pak ditësh.

Një takim mjaft të lehtë në letër do të luajë edhe Flamurtari, që do të udhëtojë në Lushnjë, për t’u përballur me skuadrën më të dobët të kampionatit. Gjithsesi vlen të theksohet se skuadra e Duros nuk fiton në kampionat që prej 18 Shkurtit, pikërisht në ndeshjen ndaj Lushnjës, të vlefshme për javën e 20 të Superiores. Vlonjatët duan të bëjnë autokritikë pas humbjes zhgënjyese dhe të thellë 0-3 ndaj Skënderbeut. Gjithashtu një fazë pa fitore ka bërë që Luftëtarit t’i afrohen edhe skuadrat që luftojnë për mbijetesë, ndaj nëse do të shkëputet edhe njëherë, duhet të mos e diskutojë fitoren në ‘Roza Haxhiu’.

E shtuna e Superiores do të mbyllet në orën 19:00, ku në Korçë Skënderbeu do të presë Kamzën. Korçarët vijnë me moral të lartë në këtë takim, pasi sapo kanë rifituar edhe në CAS titullin kampion të vitit 2016, teksa janë rritur shpresat edhe për një triumf në gjyqin ndaj UEFA-s. Skuadra e Duros kërkon 3 pikët për të mbyllur sa më shpejt llogaritë me titullin, që duhet ndonëse praktikisht mund të quhen fitues tashmë. Nga ana tjetër Kamza po kalon një moment mjaft të vështirë, sepse nga surpriza e kampionatit u rikthye sërish të luftojë për mbijetesë. Pas ndryshimeve në pankinë, Julian Ahmataj do të debutojë në një sfidë aspak të lehtë, por për ta nisur mbarë dhe për të shpresuar te mbijetesa, duhet të mos dalë pa pikë nga transferta korçare.

Top Channel