Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri duke u shprehur se negociatat me koncesionarin vijojnë, tha se do të ketë tarifë të reduktuar për banorët e Kukësit. Sipas tij përfitojnë mjetet e transportit publik e përdoruesit e shpeshtë.

“Jemi duke negociuar me koncesionarin por njëkohësisht duke u konsultuar edhe me popullatën për të gjetur një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave, sidomos për transportin publik dhe qytetarët që e përdorim më shpesh rrugën Kukës-Tiranë. Nga ana tjetër, dua të them që kemi filluar edhe me evidentimin e të gjitha mjeteve që janë të targuara në Kukës. Jemi duke bërë krahasimet me banorët që janë pjesë e këtij komuniteti dhe që i zotërojnë këto mjete, në mënyrë që të trajtohet ajo fashë e njerëzve që preken nga ky koncesion dhe që jetojnë në Qarkun e Kukësit. Është një proces i filluar mirë dhe besoj brenda një periudhe shumë të shkurtër, përpara se të fillojë dhe njëherë funksionimi i pagesave të Toll-it, ne do të kemi një zgjidhje. Besoj do jetë shumë e pranueshme por njëkohësisht nuk cënon edhe efektivitetin e kontratës, nuk cënon mbarëvajtjen e kontratës për mirëmenaxhimin e kësaj rruge”, nënvizoi Gjiknuri.

Ai ka inspektuar kantierin për dublimin e urave në aksin rrugor Kukës-Morinë. Brenda këtij viti, aksi që lidh Kukësin me Morinën, pjesë e Rrugës së Kombit do të jetë i përfunduar me urat e dubluara dhe elementët e sigurisë rrugore.

Kreu i ARRSh-së Afrim Qendro sqaroi se tanimë janë programuar fondet dhe do të garantohet përmbyllja e dy kontratave të zvarritura prej vitesh e që kanë të bëjnë me përfundimin e 7 urave. Sipas tij, mos kryerja e investimit në kohë dhe defektet që e kanë shoqëruar në fazën e zbatimit, kanë shkaktuar tashmë mosrakordim të trupit të rrugës me urat dhe veprat e artit janë në disnivel. Për këtë shkak, ARRSH ka filluar procedurat për plotësim rakordim masash mbrojtëse dhe siguri rrugore në viaduktet e aksit Kukës- Morinë.

Top Channel