Fushata në Mal të Zi u mbyll për t’i lënë vendin heshtjes zgjedhore përpara votimit të së dielës, i cili sheh të rikthehet me forcë në skenën politike të fundit një figurë veterane e saj: Milo Gjukanoviç.

Ky i fundit, që kërkon postin e kreut të shtetit është i vetëdijshëm për rëndësinë e lartë simbolike të presidencialeve dhe kërkon të tregojë se është ende i pamposhtur.

Prandaj flet përsëri për “zgjedhje historike” dhe mbështetet në taktikën e vet të sprovuar: Ai garanton vazhdimësinë e shtetit ndërsa kritikët e tij, thotë DW, janë kundër ekzistencës së shtetit të Malit të Zi dhe lidhjeve me Perëndimin, e pohuar kjo në sfondin e përpjekjeve për grusht shteti të orkestruara, siç u tha nga rusët.

Megjithëse ka 27 vjet në pushtet dhe është sot tepër i pasur, në moshën 56-vjeçare Gjukanoviçi konsideron se është tepër i ri për të dalë në pension. Kundërshtarët nga ana tjetër argumentojnë se këmbëngulja e tij pas pushtetit mund të ketë një arsye shumë praktike – imunitetin, sepse vetëm ai e mbron nga çdo përndjekjeje penale.

Nepotizmi dhe korrupsioni janë të pranishëm kudo në vendin e vogël prej 600,000 banorësh. Pretendimet për parregullsi kanë nisur pa filluar votimi.

Ministria e Brendshme i ka bërë 211,552 ndryshimeve listës së votuesve, thotë televizioni kombëtar duke cituar pretendimet e rrjetit për afirmimin e sektorit të OJQ-ve, MANS.

Në listën e votuesve sipas këtij rrjeti ka shumë ndryshime të dhënash të zgjedhësve të cilat nuk mund të verifikohen siç duhet për shkak të kufizimeve ligjore që limitojnë mundësinë e kontrollit të procesit elektoral.

Opozita e fragmentuar vazhdon të shpresojë se në rastin e një tronditjeje të tij në këto votime, në vend mund të zhvillohen zgjedhje të reja parlamentare dhe të arrihet ndryshimi i pushtetit për të cilin shumëkush ëndërron prej vitesh, por sondazhet vazhdojnë ta nxjerrin Gjukanoviçin në krye.

Top Channel