Salvini: Kundër ndërhyrjes në Siri! Italia të ndërmjetësojë afrimin e Rusisë me NATO-n

13/04/2018 13:03

Italia nuk e ka ende një qeveri pas zgjedhjeve të fundit dhe Roma nga analistët ndërkombëtare konsiderohet si “Thembra e Akilit” e koalicionit perëndimor në qëndrimin përballë Rusisë në Siri.

E për të përforcuar këtë bindje të analistëve, koalicioni i qendrës së djathtë, udhëhequr nga Matteo Salvini dhe Silvio Berlusconi doli me një propozim konkret sa i takon programit për politikën e jashtme.

“Nisur edhe nga ato që po ndodhin në këto kohë, paqja dhe siguria në Mesdhe është në një pikë e rëndësishme në programin tonë. Për këtë, ritheksojmë se për krizën në Siri i mbetemi besnik Aleancës së NATO-s, por jemi plotësisht kundër çdo aksioni të njëanshëm dhe jemi të bindur që rruga e duhur për zgjidhjen e krizës është ajo dialogut”, deklaroi Salvini.

E për të mundësuar këtë dialog, nëse nesër bëhet Kryeministër, Salvini premton që do të ndërmjetësojë afrimin historik të Rusisë me NATO-n.

“Ja kemi dalë në të shkuarën dhe jemi të bindur që mund t’ja dalim sërish me Qeverinë tonë, falë angazhimit të Italisë”, vijoi ai.

Qëndrimet e Salvinit morën miratimin me tundje koke të Silvio Berlusconit, i njohur si një prej udhëheqësve perëndimorë më të afërt me Presidentin rus, Vladimir Putin.

Top Channel