Nga Alistair Bunkall, analist i Mbrojtjes (Sky News) – Donald Trump ka paralajmëruar Rusinë se duhet “të bëhet gati” për sulme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara. Theresa May ka deklaruar se “përdorimi i vazhdueshëm i armëve kimike nuk mund të mos sfidohet”. Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një “kundërpërgjigje të fuqishme dhe të përbashkët”.

Por, çfarë mundet realisht të bëjë Perëndimi në kundërpërgjigje të sulmit të dyshuar me armë kimike nga regjimi i Assadit në Siri.

Opsioni 1 – Opsioni i parë dhe i menjëhershmi që të vjen ndërmend është që Shtetet e Bashkuara të kryejnë një sulm ajror të kufizuar dhe me objektiva të qarta mbi disa baza siriane, nga ku dyshohet se janë nisur sulmet me armë kimike të fundjavës së kaluar. Ne nuk e dimë se cilat janë këto baza, por mund të vini bast se shërbimet sekrete amerikane e dinë dhe mirë madje. Një sulm i mundshëm mund të jetë i ngjashëm me strategjinë e përdorur prillin e vitit të kaluar, kur presidenti Trump vendosi të shënjestronte bazën “al-Shayrat”.

Unë – (autori i analizës) – do ta konsideroja këtë opsion si njërin me rrezik relativisht të ulët, që zor se do të shkaktonte kundërpërgjigje hakmarrëse. Por, ky është një opsion me ndikim të vogël gjithashtu. Avionët këtu fluturonin në numër më të shumtë deri 24 orë para sulmit të vjetshëm dhe, siç e dimë të gjithë, ai nuk ishte i mjaftueshëm për të ndalur regjimin e Assadit të godiste sërish.

Opsioni 2 – Një opsion i dytë mund të jetë ai që sheh presidentin Trump të vendosë dhënien e “dritës jeshile” për një goditje vrastare ndaj të gjithë flotës ajrore të Sirisë. Në total janë 24 pista ajrore. Por, ky do të ishte një opsion me rrezik të lartë, pasi, sa më shumë vende të sulmosh, aq më shumë shtohen mundësitë që ato të rezultojnë me numër të lartë viktimash rusë, që janë strehuar në këto baza.

Opsioni 3 – Një tjetër opsion, por që unë – (autori i shkrimit) – e konsideroj si të pagjasë, do të ishte goditja e infrastrukturës qeveritare siriane në Damask.

Kjo do të thotë të goditet aeroporti ndërkombëtar, i cili është edhe porta hyrëse më e madhe për avionët iranianë e rusë, që do të sillnin ndihma për qeverinë e Assadit. Bombardimi i pistës dhe nxjerrja e saj jashtë funksionit, apo ndoshta edhe bombardimi i një godine qeveritare, si Ministria e Mbrojtjes, do të përmbanin gjithashtu rrezikun e lartë të shkaktimit të shumë viktimave mes civilëve.

Opsioni 4 – Ky është ndoshta edhe opsioni më i pagjasë nga të gjithë, duke lexuar deklaratat dhe gjuhën e përdorur nga kryeqytetet e Perëndimit, e do të ishte “të mos bëhet asgjë”. Kjo në fakt do t’i lejonte presidentit Assad t’ia hidhte paq, pavarësisht sulmeve kimike të ndërmarra, siç ishte ai i vitit të kaluar në Khan Shaykhun, apo ky i sivjetshmi në Douma. Nuk mendoj – thotë autori i analizës, – se Uashingtoni dhe Parisi janë përgatitur për të lejuar diçka të tillë.

Cila është fuqia ushtarake në dispozicion të Shteteve të Bashkuara?

Nëse Amerika dhe aleatët e saj do të zgjedhin të nisin sulmet ajrore, lind pyetja: si do të operohet dhe nga ku do të ngrihen avionët bombardues? Amerikanët kanë një prani tejet të lartë të Forcave Ajrore në bazën Al-Udeid në Katar, më e madhja në rajon. Por kjo bazë, për koinçidencë, është edhe vendndodhja aq shumë e përfolur e ndërlidhjes së komandantëve rusë.

SHBA-të kanë gjithashtu “destrojerë” që lëshojnë raketa të telekomanduara, si dhe luftanijen “USS Donald Cook”, që thuhet të jetë zhvendosur në lindje të Mesdheut ditët e fundit. Luftanija la portin e Larnakës të martën së bashku me ngarkesën e raketave “tomahawk”, me një rreze prej 1.000 km, gjë që do të thotë se ato mund të lëshohen drejt Sirisë nga një distancë e sigurtë. Kjo është pikërisht ajo që quhet edhe si arma e “përtej horizontit”.

Po për Britaninë e Madhe, çfarë mund të thuhet?

Nëse Theresa May vendos të përfshihet në këtë sulm, asetet ushtarake i ka në gatishmëri të plotë. Plot 8 avionë bombardues “Tornado GR4” dhe 6 avionë luftarakë “Typhoon” janë të stacionuara në bazën e Forcave Ajrore Mbretërore në Akrotiri të Qipros. “Tornadot” janë krijuar gjatë Luftës së Ftohtë për të fluturuar ulët dhe shumë shpejt drejt Europës Lindore, sigurisht të pakapur nga radarët, kështu që do të ishin avionë efektivë nëse do të thirreshin në detyrë për të “çarë” hapësirën ajrore siriane. Ato mbajnë gjithashtu raketa “Storm Shadow”, të cilat mund të lëshohen nga një pozicion i ndaluar prej 300 miljesh, duke i lejuar Forcave Ajrore Mbretërore të ndjekin objektivat duke qëndruar larg perimetrit të arritshëm nga armiku. Një “Tornado” do të ishte tejet efektiv kundër pistave ajrore, godinave të mëdha dhe stacioneve energjetike. Në Akrotiri gjenden gjithashtu një çisternë furnizuese dhe një avion mbikëqyrjeje “Sentinel”, të cilat do të luanin të dyja një rol të rëndësishëm, por në rajon është edhe një nëndetëse “e zgjuar” që thuhet të jetë e ngarkuar me raketa “tomahawk”. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, ekziston edhe një mjet i quajtur “RAF Airseeker Rivet Joint”. Ky aeroplan “i fshehtë” ka pajisje tejet të avancuara në bord, që mund të përgjojë të gjitha komunikimet telefonike.

Ndërsa Franca?

Sa u përket francezëve, ata kanë një duzinë avionësh “Rafale”, të ndara mes bazave në Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ata kanë gjithashtu opsionin e lëshimit të raketave “cruise” nga një frigatë me emrin “l’Aquitaine”, që lundron aktualisht në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut.

Por cili është rreziku më i madh i një ndërhyrjeje ushtarake?

Për të gjitha opsionet e mundshme dhe shkallën e rrezikut të ndërlidhur me secilën prej tyre, shqetësimi më i madh dhe më kryesori është…Rusia dhe mënyra e kundërpërgjigjes hakmarrëse të saj.

Baza e saj kryesore ajrore është në periferi të Latakias, në Sirinë lindore, aty ku ndodhen edhe bateritë me raketa tokë-ajër “S-400” , që konsiderohet ndoshta sistemi i mbrojtjes antiajrore më vdekjeprurësi në botë. Radari i kësaj baze ajrore mbulon një zonë që përfshin madje edhe bazën britanike në Qipro, ndërsa raketat e saj, të afta për të fluturuar me një shpejtësi sa 6-fishi i shpejtësisë së zërit, kanë një rreze prej 250 miljesh. Kjo bazë mund të angazhojë 36 objektiva njëkohësisht. Kështu që është thuajse e garantuar aftësia perfekte e saj për të rrëzuar çdo raketë në ardhje, apo edhe avion luftarak.

Këto janë opsionet dhe rreziqet. Tri qeveritë mund të bëjnë analizat e tyre dhe t’i peshojnë mirë këto anë, përpara se të ndërmarrin një vendim.

Ndaj lind pyetja, a ia vlen të godasësh Sirinë?

FOTO GALERI
2/13

Top Channel