Mbikëqyrja e AKI-së, kreu i Komisionit: S’kemi mundësi kontrolli!

13/04/2018 14:21

Edhe pse ishte thirrur të raportonte, zëvendësdrejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Latif Merovci nuk u paraqit para Komisionit për mbikëqyrjen e saj.

Kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu u shpreh se, në këtë mënyrë, ushtrimi i presionit demokratik mbi organizmin në fjalë është i pamundur.

“Unë nuk dua të paragjykoj – se kjo Agjenci është jashtë kontrollit – dhe të përgjigjem për kompetencat që nuk më takojnë. Sa u përket institucioneve të tjera, nuk e di a u janë përgjigjur apo jo Presidencës dhe Kryeministrisë. Si Komision e kemi të pamundur të ushtrojmë kontrollin demokratik mbi këtë institucion. Do të ketë zhvillime në javën e ardhshme, por nuk ka diçka konkrete që sot të jap përgjigje për opinionin e gjerë”, tha Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit Mbikëqyrës të AKI-së.

Drejtuesit e AKI-së janë ftuar 4 herë të raportojnë mbi zhvillimet e fundit në vend, duke nisur nga deportimi i shtetasve turq, që shkaktoi një tërmet të vërtetë në skenën politike të Kosovës, por e kanë shmangur këtë detyrim.

Pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, kreu i Agjencisë Driton Gashi dha këtë javë dorëheqjen nga posti. Përveç tij, Haradinaj pati liruar nga detyra edhe ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, për shkak se nuk e kishin informuar lidhur me aksionin për arrestimin dhe deportimin e 6 shtetasve të konsideruar mbështetës të klerikut Fethullah Gulen.

Top Channel