Kosovë, ministri i Infrastrukturës nën akuzë

13/04/2018 18:17

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të enjten aktakuzë ndaj ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, për shpërdorim të pozitës zyrtare në kohën sa ishte kryetar i komunës së Gjakovës.

Sipas akuzës, ministri Lekaj, dyshohet për dy vepra penale, të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ngritjen e aktakuzës e konfirmuan zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, shkruan Zëri i Amerikës.

Ministri Lekaj nëpërmjet një komunikate tha se “në asnjë rast e rrethanë nuk kam vepruar ndryshe përveç se në harmoni me ligjin dhe në ndihmë për qytetarët e shumtë që kanë përfituar nga subvencionet të cilat i ka shpërndarë Komuna e Gjakovës”.

Zoti Lekaj tha se do të respektoj çdo vendim të organeve të drejtësisë pavarësisht siç tha “tendencës së trysnisë”.

Kjo është aktakuza e dytë brenda një jave ndaj dy ministrave të qeverisë së Kosovës. Javën e kaluar, Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë edhe ndaj ministrit të Inovacionit, Besim Beqaj, i përfshirë në skandalin e përgjimeve telefonike, që u bë i njohur si rasti “pronto”, për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë komunikimeve.

Vëzhguesit e sistemit të drejtësisë thonë se aktakuzat e fundit mund të lidhen edhe me përpjekjet e shtetit të Kosovës për të dëshmuar rezultate në luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet kushti i fundit për liberalizimin e vizave.

Top Channel