Ekspozita në Berat, piktorët më të njohur sjellin natyrën shqiptare

13/04/2018 12:18

Piktorët më të njohur shqiptarë prezantuan veprat e tyre të viteve të fundit, në një ekspozitë që u jap në Berat.

Pashk Përvathi, Buron Kaçeli, Ikbale Kalaja, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj ekspozuan krijimet në mesin e 22 artistëve.

Për kuratorin e kësaj ekspozite Agron Poloniva, kjo ekspozitë është pjesë e një aktiviteti artistik tepër të rëndësishëm “Plein art” që do të zhvillohet në këtë qytet, dhe që synon jo vetëm gjallërimin e jetës artistike, por dhe nëpërmjet artit promovimin e vlerave më të mira të qytetit.

“Gjatë tre ditëve të qëndrimit të tyre në qytetin tonë, mjeshtrit e pikturës shqiptare do të kenë mundësi që të krijojnë duke prekur nga afër lagjet muzeale, qendrën historike dhe veprat që do të krijohen do të jenë pjesë e një tjetër ekspozite, e cila do të hapet në natyrë, në pedonalen e qytetit, ditën e dielë”, thotë Polovina.

Qyteti i Beratit ndër shekuj ka zgjuar interesin e piktorëve të huaj dhe shqiptar, të cilët në krijimtarinë e tyre janë frymëzuar nga magjia e këtij qyteti dhe krijuar vepra të papërsëritshme.

Top Channel