Mocioni i opozitës për rrëzimin e qeverisë në Maqedoni nuk kaloi dot në Parlament. Votat e koalicionit opozitar të drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja nuk mjaftuan për rrëzimin e ekzekutivit të Zoran Zaevit.

62 ligjvënës të shumicës parlamentare ishin kundër, ndërsa dy deputetë abstenuan gjatë votimit para mesnate.

Gjatë fjalës së tij të mbajtur përpara votimit, Zaev i bëri thirrje opozitës të jetë konstruktive për shkak të interesave shtetërore dhe në pritje të proceseve integruese të Maqedonisë.

Ai kujtoi mes të tjerash se vendi do të ketë shumë shpejt datën e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit në BE, por përplasjet verbale në sallë nuk munguan, me opozitën që akuzoi se pushteti punon vetëm për interesat partiake dhe se në muajt e kaluar nuk ka realizuar asnjë projekt dhe asnjë reformë të premtuar para zgjedhjeve.

VMRO-DPMNE-ja i dha fund bojkotit disamujor të Parlamentit, duke u kthyer të mërkurën në debatin për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë. VMRO-ja e akuzon qeverinë për shtimin e kriminalitetit, të dukurive të tjera negative në vend dhe për rënien e ekonomisë.

Ndërkohë, ligjvënësit e Lidhjes Social-Demokrate në pushtet kundërpërgjigjen se “vendi u shkatërrua në 10 vitet e fundit nga qeveritë e VMRO-së” dhe se “ekzekutivit i duhet kohë për të ndrequr dëmtimet e viteve të kaluara”.

Konservatorët, të cilëve iu nevojitet një shumicë e thjeshtë prej 61 votash për ta rrëzuar qeverinë, nuk e arrijnë dot këtë prag.

Top Channel