Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ishte në Maqedoni përpara se të udhëtonte drejt Prishtinës, për takime me kryediplomatin kosovar, Behgjet Pacolli, dhe presidentin Hashim Thaçi.

Shefi i diplomacisë greke pati një tjetër përballje në Ohër me homologun maqedonas, Nikola Dimitrov, për të diskutuar sërish rreth çështjes së emrit.

Dy zyrtarët e lartë njoftuan në përfundim të takimit të tyre se, ka pasur përparim, por kanë mbetur ende disa subjekte të vështira që kërkojnë zgjidhje. Dimitrov tha për mediet se, sapo të ketë diçka konkrete, ata do t’i informojnë.

Përpara kësaj ndalese, që erdhi në kuadër të dialogut të vazhdueshëm dhe përpjekjeve për kapërcimin e dallimeve mbi çështjen bllokuese të “Emrit” të Maqedonisë, Kotzias ishte në Beograd, ku deklaroi në një konferencë për shtyp se, Athina nuk e ka njohur në mënyrë diplomatike Kosovën dhe nuk ka ndërmend ta bëjë diçka të tillë në të ardhmen.

Ai sqaroi vetëm se, ajo që do të hapet në një moment të caktuar, sipas një marrëveshjeje të hershme nga qeveritë e mëparshme greke, është një Zyrë Tregtare e Kosovës në Athinë, e cila nuk do të përbëjë një përfaqësim diplomatik.

Top Channel