Vrasja për gjakmarrje, policia shpall në kërkim një 40-vjeçar

11/04/2018 10:44

Mario Majollari u ekzekutua për gjakmarrje. Policia e tiranës ka shpallur në kërkim Katriot Gjuzin si autorin e dyshuar të vrasjes.

40-vjeçari i shpallur në kërkim është vëllai i Ilir Gjuzit, që u vra nga babai i 28-vjeçarit në vitin 2000.

Sipas policisë, Kastriot Gjuzi është person me precedentë penalë. Policia po verifikon edhe një makinë të djegur që u gjet në fshatin Gramëz të Fushë-Krujës.

Sipas burimeve, nuk përjashtohet mundësia që autori i vrasjes të jetë larguar me këtë mjet të vjedhur në Lushnje disa ditë më parë.

Ndëkohë, Mario Majollari kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Suedia, pasi organet ligjzbatuese atje nuk i kishin pranuar azilin me pretendimin se Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta.

28-vjeçari u ekzekutua me disa plumba pak metra larg hyrjes së pallatit ku jetonte në zonën e Kinostudios.

Babai i viktimës, Avni Majollari është i dënuar përjetë, për dy vrasje. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Tiranës në vitin 2001.

Sipas policisë, babai i 28-vjeçarit te ekzekutuar vrau pas një konflikti me armë Armando Nelajn dhe Ilir Gjuzin në segmentin rrugor Tiranë–Dajt. Për këto dy vrasje, u dënua me 10 vite burg edhe Endrit Majollari, djali i xhaxhait të Marios.

Top Channel