Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto deklaroi se protesta kundër TVSH-së do të përshkallëzohen nëse kryeministri Edi Rama nuk negocion me bizneset.

“Protesta jonë do të vazhdojë. Nëse ministri i Financave apo kryeministri nuk negociojnë, ne do t’i përshkallëzojmë protestat. Presim reagim nga qeveria”, u shpreh Nasto.

“Jemi 5 shoqata që tashmë kemi krijuar “Aleanca kundër TVSH”. Me këtë taksë, qeveria do të “varrosë” biznesin. Ne e kemi të panegociueshme çështjen e TVSH-së”, shtoi Albert Nasto.

Të martën, për rreth një orë, bizneset e vogla ulën qepenat si protestë kundër futjes se tyre në sistemin e Taksës mbi Vlerën e Shtuar. Ata kërkojnë që Qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre. Protestës së tregtarëve të vegjël iu bashkuan edhe përfaqësues të opozitës, por tregtarët kërkuan që të mos politizohej çështja.

Pikërisht ndasitë politike përçanë dhe tregtarët mes tyre, pasi pati nga ata që nuk i mbyllën qepenat.

Top Channel